Gjykata e Posaçme vendos që gjyqi për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin të vijojë edhe pa avokatë.

Vendimi erdhi pasi, përveç avokatëve të zgjedhur nga të pandehurit, të cilët nuk marrin pjesë për shkak të bojkotit, edhe dy avokatet e ndihmës juridike falas refuzuan thirrjen e gjykatës. Njëra prej tyre argumentoi se nuk merrte pjesë për shkak të bojkotit, ndërsa tjetra parashtroi pretendimin se nuk bëhej fjalë për një rast kur mund të ofrohej ndihma juridike falas.

Gjykata i vlerësoi të pabazuara kërkesat e të katër avokatëve për të mos përfaqësuar Metën dhe Kryemadhin. Për dy avokatët e zgjedhur nga të pandehurit vendosi gjobë prej 20 mijë lekësh, ndërsa për dy avokatet e ndihmës juridike falas, gjobë prej 5 mijë lekësh.

Seanca e radhës u caktua për më 29 tetor, në orën 11:00. Ndërkohë, ndaj Metës u pezulluan afatet e paraburgimit.

Gjatë seancës nuk u paraqitën as prokurorët e çështjes, ndërsa SPAK-u u përfaqësua nga prokurori Vladimir Mara.

Vetë Meta, në një deklaratë të shkurtër, tha se ishte i gatshëm të mbrohej edhe vetë dhe se kjo situatë ishte një lojë për zvarritjen e procesit.

Ai tha se kishte takuar në ambientet e gjykatës edhe kryetarin e Dhomës së Avokatisë, të cilit i kishte kërkuar një zgjidhje. Sipas Metës, kryetari i kishte thënë se atë ditë kishte një takim për të diskutuar situatën në KLGJ.

Po ashtu, Meta pretendoi se prokuroria mungonte qëllimisht dhe se ishte dërguar një prokuror tjetër për të pezulluar afatet e paraburgimit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë