Avokatët shqiptarë kanë bërë apel që të zhbllokohet procesi i reformës në drejtësi dhe që të gjendet sa më parë zgjidhja për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kreu i avokatëve penalistë, Saimir Visha u shpreh se kjo situatë ka bërë që në poste të rëndësishme të sektorit të drejtësisë të ketë persona me mandate të përfunduara, çka automatikisht i bën vendimmarrjet e tyre të pavlefshme.

“Ligjet e reja në bazë të ndryshimeve kushtetuese, siç është rasti i Procedurës Penale, nuk mund të zbatohen nga institucionet e vjetra. Ky është ngërçi i parë që është krijuar ndaj nesh. Ligjet e reja duhet të bëheshin paralelisht me ngritjen e institucioneve të reja. Nga kjo tribunë i bëj thirrje shoqërisë civile të nxitojë me paraqitjen e kandidaturave sepse krijimi i KLP-së është eventual. Marr shkas nga një precedent i rrezikshëm që është krijuar në Shqipëri, institucioni i dorëheqjes. Kemi shumë gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, atë Kushtetuese, por edhe prokurorin e përgjithshëm, të cilëve u ka mbaruar mandati. Ne jemi juristë dhe e dimë që kur mbaron koha çdo veprim juridik nga gjyqtarë apo prokurori i përgjithshëm është nul”, deklaroi Visha.

E pranishme në aktivitetin “Toga e Artë”, nënkryetarja e Parlamentit, njëherazi anëtare e komisionit të ligjeve, Vasilika Hysi u theksoi se lufta ndaj korrupsionit do të prekë dhe avokatët.

“Nëse duam ta luftojmë korrupsionin duhet të shohim nga vetja, se çfarë mund të bëjë secili prej nesh. Një drejtësi e mirorganizuar padyshim varet nga buxheti, reforma apo vettingu, por një aktor shumë i rëndësishëm i luftimit të korrupsionit në të gjitha nivelet e drejtësisë jeni ju”, tha Hysi.

Shoqata e Avokatëve Penalistë u akordoi çmimin “Toga e Artë” avokatëve Eneida Bozheku, Haki Kraja, Brikena Kasmi, Nevzat Tarelli dhe Gjergj Imeraj. 

dy.b/shqiptarja.com