Avokati i Saimir Tahirit, Maks Haxhia ka deklaruar në një prononcim për Report Tv se ka dorëzuar në prokurori pasaportën dhe kartën e ID të ish-ministrit të Brendshëm pas vendimit të gjykatës së Krimeve të Rënda. Pasaporta dhe karta ID mësohet se i janë dorëzuar mesditën e sotme prokurorit Gent Osmani, i cili është njëri nga prokurorët që po heton dosjen.
/Shqiptarja.com
Gjykata e Krimeve të Rënda bllokoi pasaportën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në vijim të hetimeve Habilaj dhe për dosjen "Sota", duke i ndaluar atij daljen jashtë vendit për një periudhë të pacaktuar. Ky vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda i është shpërndarë policisë në pikat e kalimit kufitar.
Pak ditë më parë, ish-ministri Tahiri udhëtoi në drejtim të Gjermanisë ku tha se vizitoi babain e tij i cili kurohet në një prej klinikave të specializuara atje për një sëmundje të rëndë. Vizita e Tahirit shkaktoi mjaft polemika.
dy.b/shqiptarja.com











