TIRANË – Ndaj qytetërave të Kavajës, që protestuan për lirimin e kryebashkiakut Elvis Rroshi është ushtruar dhunë e tepruar dhe me pasoja fatale për jetën, ndërsa ndaj protestuesit së vdekur, Ruzhdi Aliu, nuk është treguar kujdesi i duhur shëndetësor.

Ky është konkluzioni i Avokatit të Popullit, pas kqyrjes së fakteve në terren për të dyja rastet.

Lidhur me përdorimin e forcës nga specialët, Avokati i Popullit ka arritur në konkluzionin se përdorimi i forcës për shpërndarjen e tubimit të paligjshëm është një e drejtë ligjore e bazuar në ligjin “Për tubimet” dhe ligjin “Për Policinë e Shetit”, por konstaton se nga punonjesit e policise përdorimi i forcës është bërë mbi minimumin e nevojshëm të parashikuar nga ligji dhe jo në mënyrë proporcionale me rezistencën e tyre.
 
Goditja e qytetarëve është bërë në vende të rrezikshme që mund të sjellin pasoja fatale për jetën dhe shëndetin e shtetasve, sikurse mund të përmendim goditjet e disa shtetasve në kokë, duke u shkaktuar plage çarëse

Lidhur me vdekjen e njërit prej protestuesve, Avokati i Popullit vlerëson se nga personeli mjekësor i Spitalit të Kavajës nuk është treguar kujdesi i duhur ndaj të ndjerit Ruzhdi Aliu megjithëse ai ka shkuar tri herë në spital. Edhe pse ka paraqitur pretendime për dhimbje të forta si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij, nuk është mbajtur nën vezhgim prej mjekëve.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit do t’i bëjë një rekomandim Ministrit të Shëndetësisë me qëllim rritjen e nivelit të shërbimit mjekësor ndaj qytetarëve që paraqiten pranë qëndrave shëndetësore për ndihmë mjekesore.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)