Foto: Andrea Malia dhe Kindi Toli, Rithemelimi thotë se janë dhunuar në protestë
Avokati i Popullit ka bërë një reagim për protestën e Rithemelimit përballë Kryeministrisë, ku 11 protestues janë shoqëruar nga policia për shkak të dhunës në protestë.
Në reagim, Avokati i Popullit thotë se do ndjekë rastin e një prej protestuesve të shoqëruar, i cili pretendon se është dhunuar nga policë civilë gjatë protestës.
Nga ana tjetër Rithemelimi ka publikuar një video ku dy të rinj Andrea Malia dhe Kindi Toli kanë plagë në fytyrë. Rithemelimi thotë se janë dhunuar gjatë protestës së 20 shkurtit.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar sot protestën e organizuar nga opozita në Tiranë. Në terren përgjatë gjithë kësaj proteste kanë qenë 4 grupe monitoruese, e më tej pas përfundimit të protestës janë monitoruar të gjitha komisariatet e Tiranës.
Përsa më sipër Avokati i Popullit bën me dije sa më poshtë vijon: Protesta është zhvilluar përgjithësisht në një klimë paqësore, përtej disa incidenteve të lokalizuara, gjatë ecurisë së saj.
Nga monitorimi i kryer në komisariate ka rezultuar se deri në orën 22:00 ka pasur 11 të shoqëruar, vetëm në Komisariatin nr.1, të gjithë persona madhorë, ndërsa në komisariatet e tjera nuk ka pasur të shoqëruar.
Mes të shoqëruarve, një nga këta shtetas pretendon se është dhunuar gjatë kësaj proteste nga policë civilë, në momentin e ndalimit.
Shtetasi A.M kishte shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë dhe Avokati i Popullit i mori një ankesë e cila do të trajtohet në vijim.
Avokati i Popullit thekson se e drejta e protestës paqësore është një e drejtë thelbësore, e njohur dhe e garantuar nga Kushtetuta”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
Lajmi kryesor: