TIRANË- Katër protestues janë arrestuar nga policia dhe 6 të tjerë janë vënë në hetim, pas dhunës së ushtruar gjatë protestës së zhvilluar nga Rithemelimi një ditë më parë, kundrjet efektivëve të policisë si dhe ndaj kryeministrisë.

Sipas policisë protestuesit, kanë hedhur kapsolla, 21 flakadanë, 7 molotov në drejtim të punonjësve të Policisë dhe kryeministrisë. Pas hetimeve, policia thotë se ka arrestuar në flagrancë: Kindi Toli, 21 vjeç, Andrea Malia 18 vjeç, Bledar Kola, 37-vjeç, Ismet Stefanis, 33 vjeç.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: - A. I., 20 vjeç, R. Sh., 20 vjeç, M. M., 20 vjeç, M. S., 19 vjeç, G. P., 22 vjeç, dhe D. Th., 21 vjeç.

Pas protestës në vendin e ngjarjes u sekuestruan
- 21 flakadanë të plasur;
- 1 bidon plastik 0.5 L, e mbushur me lëndë djegëse të dyshuar benzinë, me kapsollë të paplasur;
- 37 bidona plastikë uji, 0.5 L;
- 6 bidona plastikë të djegur, me aromë lënde djegëse benzinë;
- 3 kapsolla.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrolleve fizike.

Gati 2 orë zgjati protesta e thirrur nga Rithemelimi të martën e 20 shkurtit, thirrje të cilës ia janë përgjigjur vetëm militantë. Protesta u drejtua nga Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, ndërsa mungesa e madhe ishte Ilir Meta. Berisha mbajti një fjalim të gjatë në një podium të improvizuar në shtëpinë e tij pasi ndodhet në arrest, ndërsa sapo ai mbylli fjalën një grup militantësh hodhën edhe molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:00
Protesta e Rithemelimit, Avokati i Popullit: 11 të shoqëruar, njëri pretendon se është dhunuar nga policë civilë

1708507234_tedhunuar.jpg

Foto: Andrea Malia dhe Kindi Toli, Rithemelimi thotë se janë dhunuar në protestë

Avokati i Popullit ka bërë një reagim për protestën e Rithemelimit përballë Kryeministrisë, ku 11 protestues janë shoqëruar nga policia për shkak të dhunës në protestë.

Në reagim, Avokati i Popullit thotë se do ndjekë rastin e një prej protestuesve të shoqëruar, i cili pretendon se është dhunuar nga policë civilë gjatë protestës.

Nga ana tjetër Rithemelimi ka publikuar një video ku dy të rinj Andrea Malia dhe Kindi Toli kanë plagë në fytyrë. Rithemelimi thotë se janë dhunuar gjatë protestës së 20 shkurtit. 

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar sot protestën e organizuar nga opozita në Tiranë. Në terren përgjatë gjithë kësaj proteste kanë qenë 4 grupe monitoruese, e më tej pas përfundimit të protestës janë monitoruar të gjitha komisariatet e Tiranës.

Përsa më sipër Avokati i Popullit bën me dije sa më poshtë vijon: Protesta është zhvilluar përgjithësisht në një klimë paqësore, përtej disa incidenteve të lokalizuara, gjatë ecurisë së saj.

Nga monitorimi i kryer në komisariate ka rezultuar se deri në orën 22:00 ka pasur 11 të shoqëruar, vetëm në Komisariatin nr.1, të gjithë persona madhorë, ndërsa në komisariatet e tjera nuk ka pasur të shoqëruar.

Mes të shoqëruarve, një nga këta shtetas pretendon se është dhunuar gjatë kësaj proteste nga policë civilë, në momentin e ndalimit.

Shtetasi A.M kishte shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë dhe Avokati i Popullit i mori një ankesë e cila do të trajtohet në vijim.

Avokati i Popullit thekson se e drejta e protestës paqësore është një e drejtë thelbësore, e njohur dhe e garantuar nga Kushtetuta”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.