Avokati  Ilir Malindi denoncon në
Shqiptarja.com: Po na përgjojnë

Avokati  Ilir Malindi denoncon në<br />Shqiptarja.com: Po na përgjojnë
TIRANE - Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Taks Forca, Drejtoria e Policisë Durrës si dhe Krimi Ekonomik në këtë qytet pritet që të përballen në një proces gjyqësor në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, kjo pas padisë së bërë nga anëtari i Dhomës së Avokatisë në Tiranë, Ilir Malindi.

Kjo padi kundër këtyre institucioneve të drejtësisë në Qarkun e Durrësit vjen pas një denoncimi të bërë pak ditë më parë në gazetën Shqiptarja.com nga avokat Malindi pas marrjes me dhunë të automjetit të djalit të tij, një automjet klasik dhe i shtrenjtë, i cili u përfol se do të përdorej për fushatë nga ministri i Drejtësisë Halimi apo nga Agron Kuliçaj.

Në padinë e tij, bazuar në nenin 283 i Kodit të Proçedures Penale, avokat Malindi tregon gjithë rrjedhën e ngjarjeve e deri te veprimi i prokurorit të Durrësit për lirimin nga rezervat e Rrashbullit të makinës së djalit të tij, edhe pse ajo ishte në proces gjyqësor dhe përdorimin e tij për fushatë.

“Djali im Alban Malindi i liçensuar sot avokat ka dalë në vjeshtën e 2012 nëpërmjet aeroportit të Rinasit me një sasi parash të familjes për të blerë një automjet jashtë Shqipërisë.
Ka deklaruar paratë në doganë dhe destinacionin që do kishin dhe është kthyer me një mjet të rregullt,i cili u ç`doganua dhe u targua konform ligjeve shqiptare.

Nga ky moment Policia e Shtetit informon sektorin ekonomik për gjoja veprimtari të kundraligjeshme të avokat Alban Malindit,duke patur gjoja edhe të dhëna të tjera në lidhje me kontigjentet dhe shpifjet dhe informacionet e policisë të depozituara në komisariate”, shkruhet në padi.

Më tej, avokati thekson se “mbi av.Albanin dhe gjithë familjen time fillojnë survejimet, përgjimet, fotografimet dhe filmimet. Albani dhe gjithë jeta private e jona me një vendim Gjykate, që nuk e di arsyetimin, bëhet e kontrollueshme nga Taks Forca dhe survejuesit e policisë shqiptare”, citohet në padinë e avokatit.

Ndër të tjera, ai sqaron dhe momentin e ballafaqimit në procesin gjyqësor me prokurorin Shehu si dhe lejimin e tij për përdorim në fushatë, meqenëse automjetet e administratës me urdhër nga kryeministri, nuk duhet të përdoren.

“Në kohën që ne ishim në gjyq dhe objekt gjykimi ishte heqja e sekuestros së makinës, prokurori Afrim Shehu në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Durrës tentoi me shkresë përcjellëse ta transferonte makinën me dokumente të Prokurorisë Durrës që ishin firmosur edhe nga drejtuesi i këtij institucioni për në Tiranë që ta përdornin Ministri i Drejtësisë për fushatën e PD-së në Durrës siç u përfol apo dhe Agron Kuliçaj.

Prandaj kërkoj arrestimin e këtyre elementëve kriminal dhe kështu të vënë mend të gjithë prokurorë dhe gjyqtarë mbasi ligji është mbi ta dhe nuk lejon të shpërdorohet në kurriz të Popullit Shqiptar”, përfundon padia e avokat Malindit depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Serie A/ Juventus dhe Roma ndahen në paqe, 0-0 në Torino! Udinese mposht Comon, Verona fiton në udhëtim

Serie A/ Juventus dhe Roma ndahen në paqe, 0-0 në Torino! Udinese mposht Comon, Verona fiton në udhëtim