TIRANE - Ariana Caco, një nga tre gjyqtarët e procesit të 21 Janarit, është paditur dy vite më parë nën akuzën e mitmarrjes. Ka qenë një avokat në Tiranë, i cili kishte denoncuar Cacon në prokurori, me pretendimin se kishte zvarritur një proces gjyqësor për klientin e tij. Në lidhje me rastin mësohet të ketë qenë në dijeni edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Denoncimi

Dy vite më parë, një avokat në kryeqytet iu drejtua Prokurorisë së rrethit Tiranë për të regjistruar një kallëzim penal ndaj gjyqtares Ariana Caco, një nga tre gjyqtaret që pak ditë më parë dha vendimin për të pandehurit e 21 Janarit. Burime të besueshme pranë organit të akuzës thanë se avokati, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka pretenduar se Caco zvarriste prej dy vitesh marrjen në shqyrtim të një procesi gjyqësor ku protagonist ishte dhe klienti i tij. Në këmbim të “futjes pa radhë” të shqyrtimit gjyqësor, mësohet se ajo kishte kërkuar shumën prej 10 mijë eurosh. Sipas të njëjtave burime, mësohet se avokati ka pasur të regjistruar edhe biseda të zhvilluara mes tij dhe Cacos, të cilat janë depozituar gjithashtu pranë organit të akuzës, si prova materiale.

Verifikimet

Pas marrjes së denoncimit, kur në rolin e të paditurës ishte një gjyqtare, prokuroria i është drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për t’a vënë në dijeni rreth rastit në fjalë. Mësohet se KLD-ja kishte nisur edhe verifikimet në lidhje me pretendimet e avokatit. Në kohën kur po hetohej veprimtaria e Ariana Cacos, bëhet me dije se bashkë me të kanë qenë edhe disa gjytarë të tjerë të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, për të cilët kishte dyshime se kishin abuzuar më detyrën. Verifikimet asokohe u bënë publike dhe u trumbetuan fort edhe nga nënkryetari i KLD-së në ato vite Kreshnik Spahiu, i cili në një dalje për mediat pranoi se ishin gjetur një sërë shkeljesh në dosje të ndryshme në këtë gjykatë.

Mbyllja e hetimeve

Por pavarësisht rastit të denoncuar ndaj gjyqtares Ariana Caco, prokuroria dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk publikuan asnjë detaj nga masat disiplinore apo penale në ngarkim të saj. Përgjatë viteve të fundit, në Gjykatat e Shkallës së Parë në rrethe të ndryshme të vendit janë realizuar një sërë inspektimesh, përfundimet e të cilave nuk u bënë kurrë të ditura.