ATHINË - "Greqia nuk do të ndryshojë qëndrimin në raport me integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, nëse nuk arrihet konsensus për një emër për përdorim të përgjithshëm”, ka qenë deklarata më e rëndësishme e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopulos pas takimit, që pati dje në Athinë me zv/kryeministrin për çështje evropiane të Maqedonisë, shqiptarin Fatmir Besimi, duke shtuar se “Greqia është e sinqertë në bisedimet për kontekstin e emrit”.

Avramopulos ka theksuar se, “Jemi të bindur se zgjidhja e kësaj çështjeje do të krijojë prespektiva të mëdha bashkëpunimi mes dy vendeve, por dhe për gjithë rajonin. Është me rëndësi, që ndërsa bisedimet zhvillohen në kontekstin e OKB-së të ruhet konsensusi, logjika, maturia dhe vetëpërmbajtja, që të gjendet një zgjidhje e përbashkët, që bazohet në respektin e ndërsjelltë historik dhe kulturor. Pozitat tona janë të njohura; pranim i emrit me një përcaktim të qartë gjeografik, që nuk do të linte hapësirë për politika irredentiste apo për dilema në çështjet e ndjeshme, që ndërlidhen me respektimin e historisë dhe kulturës”.

Siç raporton Rel, Fatmir Besimi ka shprehur bindjen se dy vendet do të arrijnë të kapërcejnë këtë problem. “Pres që çështja e emrit të zgjidhet sa më shpejt, që të mund të ecim drejt perspektivës sonë evropiane, si dhe të dërgojmë sinjale pozitive për rajonin dhe të promovojmë optimizmin për integrimin evropian të Ballkanit. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi sfida në këtë rrugë, por vetëm përmes respektimit të ndërsjelltë, ndërtimit të besimit, mund të ecim përpara”, është shprehur Besimi. Ai ka shtuar se vendi ka kapacitete për tejkalimin e të gjitha sfidave, për të gjetur një kompromis për të dyja palët. “Me qasje të sinqertë, të hapur dhe vullnet të mirë mund të diskutojmë hapur për këtë çështje”, theksoi Besimi.

AVRAMOPULOS, TAKIME VETËM ME MINISTRAT SHQIPTARË


Me vizitën në Athinë, Besimi ka vazhduar praktikën e takimeve të ministrave shqiptarë të BDI-së me autoritetet e larta greke. Një gjë e tillë nuk ndodh me ministrat maqedonas, të cilët ose refuzohen apo realizojnë ndonjë takim, por vetëm në kuadër të ndonjë iniciative rajonale. Takimi i djeshëm është cilësuar tepër i ngrohtë dhe miqësor.

Maqedonia statusin e shtetit kandidat e ka marrë në vitin 2005, por bisedimet për anëtarësim janë bllokuar nga Greqia, e cila këtë e kushtëzon me ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, pasi beson se me këtë emër ajo do të ketë pretendime territoriale ndaj rajonit verior të Greqisë, që po ashtu mban emrin Maqedoni.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)