TIRANË –Kryeministri Berisha ka kërkuar ndihmën e qeverisë së Azerbajxhanit për hartimin e një masterplani për gazifikimin e Shqipërisë dhe Presidenti Aliyev i ka premtuar mbështetjen e plotë të vendit të tij dhe zbatimin e projektit nga ndërmarrjet azere.

Biseda u zhvillua gjatë pritjes që i ka bërë sot, Kryeministrit shqiptar, Presidenti i Azerbajxhanit, zoti Ilham Aliyev, në Pallatin Presidencial në Baku. Berisha ndodhet atje për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror “Dialogu strategjik mbi tё ardhmen e Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore”.

Burimet zyrtare nga Kryeministria bënë të ditur se në këtë takim, Presidenti Alyiev dhe Kryeministri Berisha shprehen kënaqësinë për progresin e shpejtë të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe kombeve tona, si dhe vendosmërinë për zhvillimin e tyre të mëtejshëm dhe të gjithanshëm. Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Aliyev për mbështetjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për investitorët azer të interesuar për të investuar në Shqipëri.

Vend të veçantë në këtë takim zunë diskutimet për projektin e gazsjellësit trans- Adriatik TAP. Kryeministri Berisha theksoi në takim se TAP është projekti më fizibël, më ekonomik dhe me tregun më të gjerë edhe më të garantuar.

Presidenti Aliyev theksoi se gjatë muajve që vijnë konsorciumi Shah Deniz 2 do të vendosë për projektin që do të përzgjedhë për transportin e gazit Kaspik në Evropë dhe, sigurisht, kriteret ekonomike dhe të tregut do të kenë një rëndësi parësore në vendimin e tyre.

Kryeministri Berisha kërkoi ndihmën e qeverisë së Azerbajxhanit për hartimin e një masterplani për gazifikimin e Shqipërisë. Presidenti Aliyev premtoi mbështetjen e plotë të vendit të tij për hartimin e masterplanit të gazifikimit të Shqipërisë dhe zbatimin e këtij projekti nga ndërmarrjet azere.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)