TIRANË - Ndërsa në Vlorë është ndaluar udhëtimi i 600 personave të cilët dyshohet se ishin nisur drejt Gjermanisë me qëllim për të kërkuar azil, Ministria e Brendshme përmes një deklarate për mediat bën të ditur se policia po ndërmerr hetime ndaj çdo personi, shoqërie udhëtimi ose kompanie tregtare që organizon ose ndërmjetëson për udhëtimin e qytetarëve për qëllime të azilkërkimit dhe shkeljes së rregullave të lëvizjes së lirë në vendet e BE.
 
Në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se Policia Kufitare e mbështetur edhe nga strukturat e tjera të Policisë së Shtetit po punon ditët e fundit me regjim të përforcuar për të përballuar fluksin e lëvizjes në Pikat e Kalimit Kufitar me rastin e festave të fundvitit.
 
Në këtë kontekst Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron të gjithë qytetarët se do të ketë kontrolle të shtuara në kufi, për të mos lejuar kalimin e asnjë personi i cili nuk do të përmbushë kriteret ligjore për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen.
 
Ministria e Punëve të Brendshme rikonfirmon angazhimin e saj për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me të drejtën për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Europian dhe me qëllimin e paligjshëm për të kërkuar azil në këto vende. Të gjithë qytetarët që nuk do të përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji nuk do të lejohen të dalin nga kufiri i vendit.
 
Ministria e Punëve të Brendshme përfiton nga rasti për t’u kujtuar të gjitha shtetasve shqiptarë se çdo përpjekje për të kërkuar azil në vendet e BE në mënyrë abuzive është e absolutisht e papranueshme, pasi tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe vendet e BE nuk i miratojnë kërkesat e këtij lloji.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)