SHKODËR - Numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë e jo vetëm është një nga problemet me të cilat përballen vendet e Bashkimit Evropian, shtetet e së cilës kërcënojmë me rikthimin e regjimit të vizave nëse vijohet kështu.

Një problem i tillë ekziston edhe për Gjermaninë shprehet ambasadori Hoffman nga qyteti i Shkodrës. Sipas tij numri i lartë i azilkërkuesve është kthyer në një problem pasi ka pasur edhe një tendencë në rritje të këtyre kërkesave.

“Rritja e numrit të azilkërkuesve përbën një problem për ne, numri i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani ka patur një tendencë dramatike në rritje. Gjermania është një nga ato vende që ka në traditë për dhënien e azilit të gjithë atyre që e argumentojnë këtë kërkesë. Por të gjitha kërkesat verifikohen në mënyrë mjaft të kujdesshme në Gjermani, dhe nëse shikoni statistikat maksimumi 1%, 1 në 100 azilkërkues e marrin statusin e azilantit. Pra konkluzioni është i qartë këtu bëhët fjalë për një emigrim ekonomik. Dhe praktika tregon që pothuajse të gjithë ato shqiptarë që janë përpjekur të përfitojnë statusin e azilantit në Gjermani janë kthyer sërish në Shqipëri. Ndaj ne shpresojmë shumë që kjo situatë të përmirsohet, pra ky numër të bjerë, sepse është plotësisht e qartë nëse kjo tendecë vazhdon të rritet përbën një rrezik për procesin e liberalizimit të vizave”, deklaroi ambasadori gjerman.

Hellmut Hoffman thekson se situata është nën monitorim dhe në raste të tilla, ku ka një shtim të madh të azilkërkuesve mund rrezikohet edhe heqja e liberalizimit të vizave.
 
8305 shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian, vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2014. Në raportin e fundit në EUROSTAT, zyrës Evropiane të Statistikave, Shqipëria është e dyta në rajon për numrin e lartë të zilkërkuesëve. 

Ndërkohë që dy ditë më parë Këshilli shtetëror i Francës, me propozim të Zyrës për refugjatët, ka vendosur të rendisë vendin tonë në listën e “vende të sigurta të origjinës”. Praktikisht kjo masë e fundit e qeverisë franceze përkthehet si një vendim që bllokon mundësinë e refugjatëve shqiptarë të marrin statusin e azilantit, pasi Shqipëria cilësohet si vend i sigurt.