Vijojnë kthimet e shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e BE. Në Rinas ka mbërritur sot një avion me 30 shqiptarë të deportuar nga Franca dhe Belgjika. Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, e pranishme në Rinas, gjatë një prononcimi për median, ka theksuar Policia e Shtetit edhe për vitin 2018, do të vijojë zbatimin e masave shtesë për parandalimin e fenomenit të azilkërkimit.
Si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit me Frontex dhe policitë homologe, është bërë e mundur që nga 1 janari deri në 10 prill 2018 të deportohen 4492 shqiptarë nga vendet e BE-së. Ndërkohë, që prej gushtit 2017, vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin e këtij fenomeni, dhe në këtë kuadër, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, nuk janë lejuar të kalojnë të gjithë ata që nuk përmbushnin kushtet për të udhëtuar në zonën Schengen.
Po në kuadër të masave parandaluese, gjatë kësaj periudhe janë proceduar 80 shqiptarë që kanë tentuar të kalojnë kufirin me dokumente të falsifikuara. Policia deklaron se masat janë forcuar edhe në kufirin jeshil, ku si rezultat i patrullimeve janë kapur rreth 700 shqiptarë që kanë tentuar të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.