TIRANE -  Djali i tij akuzohet për terrorizëm dhe është shqiptari më i kërkuar nga Interpol Tirana. Por për babain e tij Almir Daçi nuk është terrorist dhe ai u detyrua të shkojë në Siri pasi e hoqën nga puna. Ka qenë ky reagimi i parë për mediat i Xhevahir Dacit, babit të Almirit ndaj të cilit Krimet e Rënda hapën këtë të mërkurë procesin gjyqësor.

...
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është mbajtur këtë të mërkurë seanca e parë për imamin Almir Daci, i cili konsiderohet si një nga drejtuesit më të pushtetshëm të celulave të luftëtarëve xhihadistë në Siri.

Seanca e parë u zhvillua në mungesë pasi Daci, imam i xhamisë në Leshnicë të Pogradecit, ndodhet ende në kërkim nga policia.

Babai i tij Xhevahir Daci është shprehur se Almiri nuk është terrorist duke shtuar se nuk ka shkuar në Siri për të luftuar.  Ai rrëfen një detaj interesant, kur thotë se djalin e tij e hoqën nga puna si imam në xhami, pasi nuk fali namazin e Bajramit. 

Rrugëtimi i Almir Dacit drejt Sirisë - tregon babai - ishte për shkak se ai mbeti pa punë dhe pa bukë.

Ish-imami shqiptar u shfaq në një video të publikuar në Youtube në muajin qershor. Daci dhe një militant nga Kosova kërcënuan me sulme terroriste kundër të gjithë atyre që nuk e përkrahin kauzën e tyre, çka përbëri edhe provën më të fortë për përfshirjen e tij në terrorizëm.

Por për babain e tij Xhevahirin, thirrje të tilla janë të padrejta. Telefonata e tij e fundit me të birin ka qenë në dhjetor të vitit 2015. 

Gjyqtarja Milana Muca në seancën e parë ndaj Almir Dacit vendosi ta shtyjë duke respektuar anën procedurale të procesit për të vënë në lëvizje policinë ta kërkojë atë në të gjithë vendin, pasi kërkimet e policisë së Pogradecit nuk kanë mundur të gjejnë as Almirin as anëtarët e familjes së tij me të të cilët Daci është larguar.

Seanca e radhës ndaj Almir Dacit shqiptarit më të kërkuar nga Interpol Tirana do të zhvillohet më 11 shkurt ora 13:00. Ky është procesi i dytë që zhvillohet pranë Krimeve të Rënda në lidhje me terrorizmin pas atij të 9 imamëve të vetëshpallur.

Daci, i njohur edhe si Ebu Belkisa, është konsideruar si një nga militantët më aktivë shqiptarë në ISIS. Almir Daci akuzohet për pjesëmarrje në luftë, thirrje dhe nxitje e urrejtjes, pjesë e ISIS.

Disa ditë më parë Shqiptarja.com publikoi dokumentin e hetimeve dhe përgjimeve ndaj Almir Dacit ku rezultonte se ai kishte rekrutuar për të luftuar në Siri edhe ish-komandon e ushtrisë shqiptare, Erjon Alinj një i ri ky nga fshati Leshnicë i Pogradecit aty ku Daci ka shërbyer si Imam.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)