Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është kthyer në Hagë pas qëndrimit katërditor në Kosovë, ku pati mundësinë të qëndronte pranë familjes dhe bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi gjendja shëndetësore e së cilës ishte përkeqësuar.

Pas kthimit të tij, djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka folur për KosovaPress, duke bërë të ditur se vizita ishte e nevojshme për shkak të gjendjes së nënës, ndërsa ka konfirmuar se edhe babai i tij gëzon shëndet të mirë.

“Vizita ka qenë shumë e mirë, ka pas nevojë, ka qenë shkaku i gjendjes nenës që i falënderoj gjithë që na kanë mbështetur...gjithë qytetarët…(Edhe babai ishte) Mirë me shëndet”, tha Altin Krasniqi.

Ai gjithashtu falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj familjes gjatë kësaj periudhe.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kishin lejuar qëndrimin e Krasniqit në Kosovë për arsye të forta humanitare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Gjatë katër ditëve, ai u shoqërua çdo ditë për disa orë në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku qëndroi pranë familjes, ndërsa netët i kaloi në ambientet e EULEX-it në Fushë Kosovë. E gjithë vizita u zhvillua nën përcjelljen e forcave të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.