Ka përfunduar vizita humanitare në Kosovë e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili u kthye këtë të mërkurë në Prishtinë pasi Gjykata Speciale në Hagë i lejoi të takonte familjarët për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Krasniqi qëndroi në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku u prit nga vajza dhe familjarë të tjerë. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kishin konfirmuar se vizita ishte autorizuar për arsye bindëse humanitare, duke bërë të ditur se bëhej fjalë për vizitën e 15-të të këtij lloji për një të paraburgosur.

Vëllai i Krasniqit kishte bërë me dije se gjendja shëndetësore e bashkëshortes së tij nuk ishte stabile dhe se së fundmi ajo kishte marrë trajtim mjekësor në Turqi.

Kjo ishte hera e dytë që Jakup Krasniqi vinte për vizitë në Kosovë gjatë kohës së paraburgimit në Hagë. Herën e parë, atij i ishte lejuar të qëndronte në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues i ka udhëzuar Sekretariatin të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Jakup Krasniqin. Kjo është vizita e 15-të e tillë nga një i paraburgosur në Kosovë, e urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e menaxhuar nga gjykata deri më sot”, thuhet në përgjigje.

Jakup Krasniqi, njëri prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është dënuar në shkallën e parë me 25 vjet burgim për krime lufte.


Lajmi kryesor:

Jakup Krasniqi kthehet në Kosovë, Haga i lejon të vizitojë bashkëshorten e sëmurë! Momenti prekës kur e bija e pret te dera e shtëpisë (VIDEO)