Nigel Farage, i njohur si një nga figurat kryesore të Brexit dhe lider i partisë Reform UK, është vënë në qendër të polemikave pas pretendimeve tw ngritura nw media dhe sw fundmi nga njw artikulli të publikuar nga “The Sunday Times”, sipas të cilit ai ka përfituar mbështetje financiare nga George Cottrell, një aleat i tij i vjetër i dënuar në Shtetet e Bashkuara për mashtrim në internet.

Sipas gazetës britanike, Farage nuk i ka deklaruar këto përfitime, siç kërkohet nga rregullat parlamentare për deputetët. Raportohet se Cottrell e ka ndihmuar Farage në çështje të sigurisë dhe menaxhimit të rrjeteve sociale, si edhe i ka vënë në dispozicion një pronë me qira ku ai ka qëndruar.

Kur u zgjodh deputet, Farage deklaroi në Parlament 9.254 stërlina të paguara nga Cottrell për një udhëtim në Belgjikë në prill 2024, si edhe 15.276 stërlina për një udhëtim me avion brenda Shteteve të Bashkuara në dhjetor të po atij viti. Sipas “The Sunday Times”, ai duhej të kishte deklaruar edhe përfitime të tjera të marra nga Cottrell gjatë 12 muajve para zgjedhjes si deputet.

Gazeta shkruan gjithashtu se Farage është objekt i një hetimi tjetër parlamentar lidhur me një donacion prej 5 milionë stërlinash të dhuruar nga një investitor britanik i kriptomonedhave në vitin 2024, i cili, sipas pretendimeve, nuk ishte deklaruar.

Zëdhënësi i Farage i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se ato vijnë nga një gazetë që kishte mbështetur ardhjen e Laburistëve në pushtet në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Sipas “The Sunday Times”, George Cottrell mund të ketë interes të përfitojë nga marrëdhënia me Farage, pasi ai po kërkon falje nga presidenti Donald Trump për dënimin e marrë në SHBA.

Në vitin 2016, Cottrell pranoi një akuzë për mashtrim në internet në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorët amerikanë dhe vuajti tetë muaj burg. Sipas gazetës, ai u kishte ofruar agjentëve federalë, të cilët ishin paraqitur si trafikantë droge, shërbime për pastrimin e parave në “dark web”