Kufijtë e Britanisë së Madhe po shfrytëzohen nga grupet kriminale shqiptare për të futur ilegalisht persona në vend, për t'i përfshirë në tregtinë e drogës dhe për t'i larguar sërish drejt Evropës në rast se bien në radarët e policisë. Një investigim i fshehtë i Sky News, ka zbuluar mënyrën se si këto rrjete kanë zgjeruar aktivitetin e tyre, duke ndërtuar një sistem të organizuar furnizimi dhe shpërndarjeje të kokainës në qytete të ndryshme britanike.
Gazetarët e infiltruar arritën të depërtonin në grupet kriminale shqiptare, duke zbuluar mënyrën se si rekrutohen shpërndarësit, si organizohet transportimi i njerëzve dhe si tregtohen telefona celularë që përmbajnë të dhënat e mijëra klientëve. Pajisje të tilla reklamohen për shuma që arrijnë deri në 300 mijë paund, pasi përmbajnë një rrjet të gatshëm kontaktesh për shitjen e drogës.
Një nga zbulimet më shqetësuese të investigimit është përdorimi i TikTok-ut për rekrutimin e shpërndarësve. Gazetarët identifikuan qindra reklama që ofronin vende pune si shoferë në qytete të ndryshme të Britanisë së Madhe. Pasi kontaktuan disa prej këtyre llogarive, ata morën oferta konkrete për shpërndarjen e kokainës, përfshirë një pozicion në Wigan me pagesë prej 280 paundësh në ditë dhe një tjetër në Exeter, ku ofrohej edhe strehim.
Gazetari investigativ Chris Matthews, i cili mori pjesë në operacionin e infiltrimit, tregoi se kishte kontaktuar disa prej llogarive përmes mesazheve të shkurtra në gjuhën shqipe, pasi personat që qëndronin pas tyre nuk u besonin lehtësisht kontakteve në anglisht.
Ai shpjegoi se rekrutimi bëhej përmes sinjaleve të tërthorta, emoji-ve dhe mesazheve të koduara, të cilat për personat e përfshirë në këtë aktivitet kishin një kuptim të qartë.
“Është sikur një korporatë e madhe të reklamojë dhe të rekrutojë punonjës”, deklaroi David McKelvey, ish-oficer i Policisë Metropolitane, i cili ka ndihmuar në krijimin e operacioneve të para të infiltrimit kundër bandave shqiptare në Britani.
Investigimi zbuloi gjithashtu se rrjetet e trafikimit të njerëzve funksionojnë edhe në drejtimin e kundërt. Një llogari në TikTok, që reklamonte shërbime në gjuhën shqipe, publikonte ofertën: “Transportojmë djem që kanë probleme nga Britania drejt Evropës. Udhëtim i sigurt çdo javë”.
Kur gazetarët kontaktuan administratorin e llogarisë, ai u ofroi transportimin drejt Shqipërisë të personave që kishin probleme me policinë britanike, përmes kamionëve. Pagesa e kërkuar ishte 2.500 paund për person.
Dokumentari përfshin edhe dëshminë e një emigranti shqiptar, të identifikuar me emrin Granit, i cili pranoi se kishte kaluar ilegalisht Kanalin e La Manshit për të punuar në tregtinë e drogës në Britani. Ai tregoi se udhëtimi ishte financuar nga të afërmit e tij, me kushtin që pas mbërritjes të punonte për shpërndarësit shqiptarë.
“Përdorëm një skaf për të shkuar në Britani”, rrëfeu ai.
I pyetur nëse edhe pasagjerët e tjerë kishin synuar të përfshiheshin në tregtinë e drogës, Graniti u përgjigj se shumica ishin nisur me të njëjtin qëllim. Pas mbërritjes, atij iu sigurua strehim në një hotel për azilkërkuesit, por u largua shpejt dhe nisi të punonte në një fermë kanabisi pranë Mançesterit. Ai është kthyer më pas në Shqipëri, ku aktualisht punon në sektorin e ndërtimit. Dëshminë e dha në mënyrë anonime, nga frika e hakmarrjes së mundshme të bandave.
Frank Stewart, përfaqësues i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), paralajmëroi se rrjetet shqiptare të shpërndarjes së drogës dhe grupet e përfshira në trafikimin e emigrantëve janë të lidhura ngushtë.
“Nuk mund t'i ndash ata nga personat e përfshirë në krimin e organizuar të emigracionit. Ekzistojnë grupe kriminale të organizuara shqiptare që merren vetë me trafikimin e njerëzve, duke i futur ilegalisht në Britaninë e Madhe”, deklaroi Stewart.
Një tjetër pjesë e investigimit përqendrohet te tregtia e telefonave celularë që përmbajnë kontaktet e mijëra klientëve të drogës. Hetuesit gjetën reklama në rrjetet sociale ku këto pajisje ofroheshin për shuma deri në 300 mijë paund. Gazetarët kontaktuan në mënyrë të fshehtë një shitës shqiptar për të kuptuar se si funksiononte ky treg.
David McKelvey shpjegoi se këta telefona përfaqësojnë shumë më tepër sesa një pajisje komunikimi, pasi përmbajnë të gjithë rrjetin e klientëve të një shpërndarësi.
“Telefoni është vetë biznesi. Të gjithë klientët e tu ndodhen në telefon. Në thelb, ti po blen një biznes”, tha ai.
Sipas investigimit, fuqizimi i grupeve kriminale shqiptare lidhet edhe me aftësinë për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit e kokainës në Amerikën e Jugut, duke shmangur ndërmjetësit evropianë. Kjo u ka mundësuar të ndërtojnë rrjete më të gjera importimi dhe shpërndarjeje në Britani.
Stewart deklaroi se autoritetet britanike vlerësojnë se grupet kriminale të organizuara shqiptare kanë një rol kryesor në importimin e kokainës në vend.
Dokumentari trajton gjithashtu rastin e Franc Copjas, për të cilin prokurorët shqiptarë kanë ngritur akuza lidhur me drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në Evropë. Sipas materialit investigativ, rrjeti i tij u përfshi në një luftë të përgjakshme mes bandave pas zhdukjes së 50 kilogramëve kokainë në Londër.
Ndërkohë, Kathryn Westmore, drejtoreshë e krimit financiar në organizatën UK Finance, paralajmëroi se pas tregtisë së kokainës fshihen pasoja të rënda njerëzore, përfshirë shfrytëzimin e personave të cenueshëm dhe dhunën.
“Ky nuk është një krim pa viktima, ku dikush thjesht blen kokainë për të kaluar një mbrëmje jashtë. Pas atij transaksioni qëndron një histori e tërë, e cila të çon te njerëz të shfrytëzuar, persona të cenueshëm dhe dhunë”, deklaroi ajo.








Komente
Komento