Pas sulmeve të vazhdueshme të Kryeministrit Berisha në Kuvendin e Shqipërisë, policia arrestoi dje (25 mars 2013) babain e deputetit socialist Saimir Tahiri, për akuzën e kontrabandës së ilaçeve.
Në seancën parlamentare të 6 gushtit të vitit të kaluar ku diskutohej për heqjen e imunitetit të deputetëve, vetë kryeministri Berisha ka akuzuar Saimir Tahirin se kundërshton heqjen e imunitetit pasi kërkon të ruajë biznesin e ilaçeve. Shefi i mazhorancës u shpreh në atë kohë: “Ai xhandari juaj vrapon tek trarët e doganës dhe rri me doganierë. Ti jap me dokumente. Për ty e kam. Ke punë shumë me dogana e ilaçe. Prandaj të duhet imuniteti. Thuaj se ke kompanitë e mamit. Ti je nga ata që kundërshton tërheqjen e imunitetit”. Ndërsa Tahiri reagonte nga salla, Topalli i tërhoqi vëmendjen.
Përplasjet mes kryeministrit dhe deputetit socialist kanë filluar pasi Tahiri ka hedhur akuza ndaj fëmijëve të Berishës për korrupsion, por jo vetëm. Ai ka denoncuar në vazhdimësi se qeveria është e korruptuar dhe ka denoncuar gjithashtu krimin e organizuar.
Ndërsa dje policia tha se arrestimi është realizuar nga Zyra e Antikrimit Ekonomik në kuadër të 3 muajve hetimi. Malli i sekuestruar, medikamente për diagnoza të ndryshme kurimi si: sëmundje kancerogjene, sëmundje nervore etj, arrinte vlerën në mbi 10 mijë euro.
Avokati i Tahirit, Plarent Ndreca për gati 4 orë nuk u lejua të takonte klientin e tij dhe takimi ndodhi mbërmjen e djeshme.
Burime konfidenciale nga policia,kanë pohuar për “Shqiptarja.com”, se të arrestuarit, jo vetëm janë hetuar, për disa kohësh, por janë mbajtur edhe nën përgjim. Ndërkohë, u pohua, se shkak për këtë është bërë fakti, se më parë janë gjendur në farmaci, medikamente pa pullë, gjë që ka bërë të nisë hetimi.
SAT- FARM NE EMER TE LUIZA TAHIRIT, KONTROLLI I BARNAVE:PO HETOJME
Kompania farmaceutike, për të cilën Saimir Tahiri është akuzuar edhe nga kryeministri Berisha, është në emër të nënës së tij, Luiza Tahiri. Bëhet fjalë për Shoqërinë me Përgjegjësi të Kufizuar, SAT-FARM, sipas ekstraktit të gjetur në faqen zyrtare të QKR-së. SAT-FARM
Drejtori i Qendrës së Kontrollit të Branave Arif Shahini, është shprehur, se asnjë nga personat e arrestuar nuk ka farmaci apo depo farmaceutike në emrin e tij. “Asnjë nga personat e arrestuar nuk ka të regjistruar ndonjë farmaci apo depo farmaceutike, apo ndonjë biznes të ngjashëm. Por depo farmaceutike ka nënë e Saimir Tahirit, Luiza Tahiri”, ka thënë tha Shahini. Po sipas tij, nga Qendra e Kontrollit të Barnave është duke u marrë një grup hetimor me këtë çështje, për të parë se çfarë medikamentet ata trafikonin dhe përse ato shërbenin dhe sot do të dalin me një raport. Si mund të kenë hyrë ilaçet kontrabandë
CFARE NDODHI ME 25 MARS
ILACET VININ NGA ITALIA, KALONIN PERMES DURRESIT
Zëdhënësja e Policisë së Tiranës njoftoi dje përmes një deklarate për shtyp, se sasia e medikamenteve futej në Shqipëri përmes pikës kufitare të Durrësit duke iu shmangur detyrimeve tatimore dhe doganore.
Policia bëri gjithashtu të ditur se pas hetimeve, medikamentet siguroheshin përmes shtetases me iniciale N.P (vjehrra e Dritan Gjizës), e cila i siguronte në një mënyrë të jashtëligjshme në një qendër shëndetësore në Itali.
“Pas hetimit, u konkludua se shtetasi, Dritan Gjiza, pasi siguronte transportimit me mjete të ndryshme, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës, duke bashkëpunuar edhe me shtetasit e sipër cituar, i tregonin më pas në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri e ndodhur në afërsi të Q.S.U.T. në Tiranë”, bëri të ditur zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini.
Sipas policisë, personat e përfshirë në kontrabandën e medikamenteve bashkëpunonim me njëri-tjetrin prej 1 viti. Ndaj 3 të arrestuarve policia ngre akuzat për veprat penale: “Kontrabanda e mallrave të licencuar”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” si dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.
(Ilaçet e sekuestruara / Foto shpërndarë nga policia e Tiranës)
POLICIA: ARRESTIMI NE FLAGRANCE
“Në momentin e arrestimit, të 3 shtetasit u kapën në flagrancë duke shkëmbyer medikamentet me shumën e parave, në afërsi të rrugës “Todi Shkurti” në Tiranë, ku u gjendën dhe u sekuestruan një sasi e konsiderueshme medikamentesh për diagnoza të ndryshme kurimi si: sëmundje kancerogjene, sëmundje nervore etj, ku vlera e tyre arrin në mbi 10 mijë euro”, bën të ditur policia e kryeqytetit.
BURIME FARMACEUTIKE: ILACET NE FOTO, ANTIDEPRESIVE
Burime farmaceutike u shprehën për Shqiptarja.com se ilaçet që shihen në fotografinë e shpërndarë nga policia e Tiranës janë ilaçe të llojit antidepresiv dhe jo për kancerin, të cilat blihen në farmaci në vendin fqinj. Të njëjtat burime u shprehën se shifra 10 mijë euro, e deklaruar nga policia e Tiranës, nuk korrespondon me vlerën e ilaçeve që duken në fotografi, vetëm nëse Policia ka të tjera ilaçe të cilat nuk i ka shfaqur për mediat.
Sjellja e ilaçeve me çanta, pohojnë të njëjtat burime, të blera nga farmacitë e vendeve fqinje, kryesisht Itali, është një fenomen shumë i përhapur për farmacitë shqiptare, të cilat më pas i shesin ato pa pullë, duke shmangur taksat. ILACET E SEKUESTRUARA
TAHIRI NE DREJTORINE E POLICISE
Ora 20:00 , (25 mars)Deputeti socialist Saimir Tahiri, i shoqëruar dhe nga avokati Plarent Ndreca ka shkuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, aty ku ndodhet babai i tij Bashkimi, që prej arrestimit të sotëm për akuzën e kontrabandës së ilaçeve.
Më tej pritet që Tahiri të japë një deklaratë për mediat për të shprehur qëndrimin e tij mbi këtë ngjarje.
RAMA: HAKMARRJE E BABAIT KRYEMINISTER
Ora 19:50 (25 mars) Mbi arrestimin e babait të deputetit socialist Saimir Tahiri, ka reaguar vetë lideri i opozitës Edi Rama i cili duke theksuar nevojën e një gjykimi të drejtë si çdo qytetar, ngre dyshimin mbi akuzuesit.
Për këtë shqetësim kryesocialisti Rama sjell në vëmendje përplasjet e vazhdueshme mes Tahirit dhe qeverisë, denoncimin në vijimësi që deputeti socialist i ka bërë korrupsionit qeveritar, krimit të organizuar si dhe kupolës drejtuese të policisë dhe fëmijëve të vetë kryeministrit Berisha. Mbi këto argumente, përmes një deklarate për mediat, Rama hamendëson që kjo mund të jetë një hakmarrje politike “e babait kryeministër” siç cilëson ai shefin e mazhorancës Sali Berisha.
AVOKATI: PREJ 4 ORESH NUK LEJOHEM TE TAKOJ TAHIRIN
Pas arrestimit për kontrabandë ilaçesh të Bashkim Tahirit, babait të deputetit socialist Saimir Tahiti, avokati Plarent Ndreca prej rreth 4 orësh nuk u lejua të takonte klientin e tij. Në një prononcim për televizionin A1 REPORT, ai bëri apel që të respektohej e drejta e tij për të takuar babain e deputetit socialist.
“Bashkëshortja e tij më kontaktoi e cila më ka lëshuar edhe një prokurë të posaçme për këtë çështje. I bëj apel drejtuesve të policisë të më japin të drejtën për të takuar klientin tim”, tha Ndreca.
BERISHA NE 6 GUSHT TAHIRIT: JE KUNDER IMUNITETIT SE RUAN BIZNESIN E ILACEVE
Ndërkaq, teksa sot policia tha se zhvilloi arrestimin në flagrancë të babait të deputetit socialist dhe dy personave të tjerë, më herët, në seancën e 6 gushtit të vitit të kaluar ku diskutohej për heqjen e imunitetit të deputetëve, vetë kryeministri Berisha ka akuzuar Saimir Tahirin se kundërshton heqjen e imunitetit pasi kërkon të ruajë biznesin e ilaçeve. Shefi i mazhorancës u shpreh në atë kohë: “Ai xhandari juaj vrapon tek trarët e doganës dhe rri me doganierë. Ti jap me dokumente. Për ty e kam. Ke punë shumë me dogana e ilaçe. Prandaj të duhet imuniteti. Thuaj se ke kompanitë e mamit. Ti je nga ata që kundërshton tërheqjen e imunitetit” Ndërsa Tahiri reagonte nga salla, Topalli i tërhoqi vëmendjen.
PAS ARRESTIMIT, PROKURORIA VLERESON PROVAT
E ndërsa arrestimi është bërë në kushtet e flagrancës, pritet që Prokuroria të vlerësojë veprimet e policisë nëse ato janë konform ligjit apo jo. Nëse do të vlerësohet vepra penale e kontrabandës, pritet që Bashkim Tahiri së bashku me dy personat e tjerë, të dalë para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë pas 48 orëve nga momenti i arrestimit.
(Ilaçet e sekuestruara / Foto shpërndarë nga policia Tiranë)
(Lajmi fillimisht u publikua ne oren 14: 50 të 25 marsit, u perditësua në vazhdim. Perditesimi i fundit ora 07:00 e 26 marsit)
Redaksia Online
(Greta Malaj / Shqiptarja.com)