TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë për të akuzuarit e dosjes "Babalja", duke lënë në fuqi masën “arrest në burg” për Albert Veliun i njohur si dëshmitar X i PD, që tanimë ndodhet në Kosovë në pritje të marrjes së Azilit dhe Fredi Alizotin, i cili imitoi zërin e vëllait të Fatmir Xhafajt në audioregjistrim. Gjithashtu, gjyqtari Kujtim Vranici ka lënë në fuqi masën detyrim paraqitje për gazetarin Jetmir Olldashi, i cili ka realizuar intervistën.
Pas seancës gjyqësore, avokatët e Olldashit dhe Alizotit u shprehën se gjykata duhet të shuajë masat e tyre pasi nuk ka vepër penale.
"Ne iu drejtuam Gjykatës për të kërkuar revokimin e masës së sigurisë për gazetarin Jetmir Olldashi dhe të hetohet në gjendje të lirë. Për këtë arsye iu drejtuam edhe një vendimi të fundit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku bëhet fjalë për një gazetar kundër Turqisë. Gjykata Evropiane ka përcaktuar se mjafton një hetim ndaj gazetarit, për t'u cilësuar si kërcënim i lirisë së shprehjes" ,tha avokati i Olldashit.
Dosja "Babalja" nga Krimet e Rënda është transferuar prej dy javësh tek Dhoma Penale Tiranë për shkak të kompetencës dhe veprës penale "kallëzim i rremë". Ndërsa tek Krimet vazhdon të hetohet trafikimi i narkotikëve, ku janë edhe persona të tjerë të përfshirë.
Përpara disa muajve, Partia Demokratike publikoi dy audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Përmes këtyre videove, PD kërkonte largimin e Xhafajt nga posti, duke e cilësuar këtë të fundit si mbrojtës të aferave kriminale të të vëllait. E tërë cështja u emërua "Babalja", pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.