BAGDAD - Aktorja e Hollywood-it Angelina Jolie ndodhet në një vizitë në Bagdad në kuadër të angazhimit të saj si ambasadore e OKB-së për refugjatët. Jolie takoi zyrtarët irakian dhe bisedoi me ta në emër të agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara.

Jolie dhe Ministri i Jashtëm i Irakut Hoshyar Zebari diskutuan për situatën e refugjatëve sirian që janë strehuar në këtë vend. Pas këtij takimi ministri Zebari u shpreh se u bisedoi për favoret që Iraku po i bën refugjatëve numri i të cilëve ka arritur në 21 mijë persona. Pas kësaj vizite Jolie do të udhëtojë për në Irbil për tu takuar me zyrtarët kurd ku edhe do të vizitojë kampet e tjera të refugjatëve në veri të këtij vendi. Më parë Jolie ka vizituar kampet e refugjatëve në Turqi, Lebanon dhe në Jordan, zona ku ka nevojë për ndihma humanitare.

Gjatë vizitave në këto kampe Jolie pohoi se ndjehet e lumtur që Jordania dhe vendet e tjera kufitare me Sirinë po shpëtojnë jetë njerëzish të cilët kërcënohen nga vdekja. Sipas saj kjo është një gjë e jashtëzakonshme ndërsa komuniteti ndërkombëtar po angazhohet për të mbështetur të larguarit deri sa ata një ditë të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

(S.Ç/Gre.M/Shqiptarja.com)