BAJRAM CURR, Tropojë - Në orët e para të mëngjesit të djeshëm (duke gdhirë e shtuna) në qytetin e Bajram Currit i është vënë zjarri automjetit personal të njërit prej gjyqtarëve të rrethit.

Bëhet fjalë për makinën e gjyqtarit Artan Haradinaj të parkuar para shtëpisë në lagjen “Dardania” të qytetit.

Burime të policisë duke konfirmuar ngjarjen, thanë se mjeti i gjyqtarit Haradinaj është djegur totalisht me lëndë djegëse dhe ende deri tani nuk dihen autorët e mundshëm por as edhe motivet, ndërsa hetimet e para thonë se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës.

Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së qarkut Kukës, ngjarja ka ndodhur pak pas orës 03.00 të mëngjesit, kur autovetura e gjyqtarit ka marrë flakë në mënyrë të papritur. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe po hetohet për të zbardhur rrethanat rreth djegies së makinë.

Gjyqtari Haradinaj dhe familjarët e tjerë thonë se janë befasuar nga shpërthimi i makinës dhe ndonëse Haradinaj nuk ka dhënë ndonjë prononcim zyrtar, mësohet të ketë thënë se nuk ka ndonjë pistë për ngjarjen dhe nuk ka askënd llogari personale.

Njerëzit mendojnë se djegia e makinës përbën një presion për drejtësinë pasi në Tropojë ka dhjetëra çështje delikate për tu gjykuar, një pjesë e të cilave lidhet edhe me krime ende të pazbuluara të së shkuarës.

Grupi i hetimit ende nuk ka dhënë ndonjë konkluzion për ngjarjen lidhur me lëndën që është përdorur për djegien e makinës dhe personat përgjegjës apo motivet. Paraprakisht thuhet se është përdorur benzinë dhe fakti që ka qenë ora 03.00, kur të gjithë kanë qenë në gjumë e bën të vështirë që ngjarjen ta ketë parë dikush nga komshinjtë rastësisht.

Banorët kanë treguar habinë e tyre ashtu si familjarët e gjyqtarit dhe mendojnë se akti duhet të jetë përdorur nga persona keqbërës si një presion për drejtësinë në tërësi dhe ndoshta nuk shumë lidhje me gjyqtarin në fjalë.
(be.le/Gre.M/Shqiptarja.com)