Mos arrestimi i të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit” ka qenë në qendër të debateve ditëve të fundit mes partive politike.

Për këtë arsye ditën e sotme, Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë kanë ushtruar ditën e sotme kontrolle të shumta në qytetin e Delvinës. Operacioni për arrestimin e Kelmend Balilit i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge ka nisur në orën 15:00.

FNSH kanë ndërhyrë  me shpejtësi në banesën e Balilit, në banesat e vëllezërve të tij si dhe disa banesa në fshatin Stjar dhe Delvinë.  Këto banesa, policia dyshonte se mund të ishin baza për strehim të mundshëm të Balilit, kjo falë edhe lidhjeve familjare dhe farefisnore që ka i shumëkërkuari. 

Gjithashtu mos arrestimi i tij ka qenë në qendër të diskutimeve në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të mbajtur ditën e sotme,  me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Mësohet se ky i fundit ka kërkuar një analizë mes institucioneve për veprimet dhe mos veprimet që kanë sjellë mos arrestimin e të shumëkërkuarit Kelmend Balili, i konsideruar nga drejtësia greke si, ‘Eskobari i Ballkanit’.

Ndërkohë më herët, Policia e Shtetit ka ofruar 50 milionë lekë të vjetra shpërblim për cilindo që jep informacion për vendodhjen e Balilit duke garantuar anonimatin. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)