Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, akuzoi nga foltorja e Kuvendit deputetin Agron Shehaj për pastrim parash. Ai u përfshi në replika me kreun e Partisë Mundësia, pasi ky i fundit e akuzoi se fshihet pas kallëzimit të depozituar ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës.

Kallëzimi është në emër të italianit Ivo Angelo Monzani, i cili akuzon Shehajn për një skemë mashtrimi dhe zhvatjeje përmes reklamave në Google, nga e cila pretendon se ka pësuar një dëm prej 300 mijë eurosh. Balla theksoi se nuk ka asnjë lidhje me kallëzimin dhe se nuk e njeh Monzanin.

“Paditë unë i bëj me emrin tim”, iu përgjigj Balla Shehajt, duke e akuzuar se paratë e call center-ave i ka pastruar në tregun e pasurive të paluajtshme.

Balla iu referua vilës në Forte dei Marmi, për të cilën Shehaj është kallëzuar në SPAK për pastrim parash. Balla i tha se e ka rishitur pronën brenda një kohe të shkurtër me pesëfishin e çmimit. Vila në fjalë ishte deklaruar në vitin 2021 me vlerë 2,9 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 Shehaj deklaroi se e kishte shitur për 15 milionë euro.

“Paditë unë i bëj me emrin tim. Të tjerë i kam kallëzuar me emrin tim. Kam bërë 173 kallëzime në gjithë këto vite në politikë, asnjë me emër të rremë, vetëm me emrin tim. Nuk kam frikë unë. Ke dalë para pak ditësh në ballkonin e papafingos tënde dhe ke thënë që Balla ka një apartament 500 metra katrorë. Të ftoj të vish në foltore. Nëse rezulton se ajo është e vërtetë, unë jap dorëheqjen nga mandati im si deputet. Unë nuk rri më në këtë sallë, iki dhe nuk vij më. 500 metra nuk e kam. Po ta kem, iki dhe nuk vij më në këtë sallë. 500 metra nuk e kam, po ta kem, iki dhe nuk vi më në këtë sallë. Nuk jam masakra unë si puna jote. Sikur një fije floku ta kisha keq, më kishte vrarë Saliu para teje. Nuk kam ngelur unë të bëhem qepaze.  

Unë të sfidoj. Për ta ditur shqiptarët, se unë jam subjekt deklarimi pasurie. Për ata apartament, do më duhet të punoj për ta shlyer me kredi. Kam edhe 18 vite të tjera për të shlyer atë kredi. Kur të mbaroj kredinë, do jetë apartamenti i fëmijëve të mi dhe i bashkëshortes time.

Dallimi mes meje dhe teje është shumë i madh. Ti je një matrapaz. Vjen nga një sektor ku pastrimi i parave është rreziku më i madh. Ti pastron para. Ti paratë e call center-it i ke pastruar me vila. Ta kam thënë dhe do ta thonë edhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Ti paratë e call center-it i ke investuar në pasuri të paluajtshme dhe, brenda një kohe të shkurtër, i ke rishitur me një çmim pesë herë më të lartë. Këtë skemë nuk ka buf që nuk e kupton.

Ti, hajdut, vodhe të dhënat e anëtarëve të PD-së. Në zgjedhjet e vitit 2025, u dërgoje mesazhe anëtarëve të PD-së dhe u kërkoje vota. Për këtë, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave të ka dënuar. Ka vendim.

Në parti të futi Luli dhe ta kam thënë, kjo shifra 500 që thua për metrat e shtëpisë sime të ka ngelur nga Luli. Ma ka thënë Luli: ‘E futa në listë se më dha 500 mijë euro.’ Ngrije kokën, Agron. Ti ke ardhur në politikë duke blerë mandatin.

Për të pasur të ardhme në politikë, i kishe gënjyer italianët, u kishe thënë: ‘Jam kryeministri i ardhshëm.’ E ka çuar në prokurori dhe i kërkon lekët. S’e njoh fare italianin dhe as nuk dua t’ia di. Ti je subjekt i pastrimit të parave. Ti je një njeri për të cilin askush s’ka dyshim se ke bërë pastrim parash”, tha Balla.