Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dënoi sot sulmet e dhunshme ndaj institucioneve dhe punonjësve të policisë gjatë protestave të Sali Berishës, duke thënë se ato po përdoren për të fshehur dështimin e opozitës.

Duke shoqëruar postimin e tij me një video që tregon pjesëmarrjen e tkurrur në protestën e Berishës, ai theksoi se liria për të protestuar është e garantuar në Shqipëri, por nënvizoi se dhuna ndaj forcave të rendit nuk mund të justifikohet

Sipas tij, Policia e Shtetit mban një barrë të rëndë në ruajtjen e rendit dhe përballet çdo ditë me situata të rrezikshme. Deputeti socialist shtoi se drejtësia duhet të veprojë dhe të bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë.

“Dy fjalë për fundin e protestave të bufit, ku sulmohen punonjësit e policisë dhe institucionet. Ndoshta për të fshehur me tym e flakë dështimin e tyre. Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë. Por sa kohë ligji e thotë qartësisht, nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur për të shërbyer në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve. Duhet t’i mbrojmë ata që na mbrojnë dhe duhet të kujdesenm për ata që kujdesen për sigurinë e qytetarëve. kjo është ajo që bën një shtet i drejtë dhe normal. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë, ndërsa drejtësia t’i bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit” shkruajti Balla në Facebook.

Postimi i Taulant Ballës në Facebook


Lajmi kryesor:

Sulmi ndaj policëve në tubimin e Berishës, ministrja Koçiu: E drejta për të protestuar u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës