Balla kërkon donacione për të luftuar krimin, ambasadori i BE-së, Gonzato: Ju mbështesim por duhet transparencë! Ngrini Observatorin Kombëtar të Drogave

 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla kërkoi ndihmën e donatorëve për të mbështetur Policinë e Shtetit me mjetet e duhura teknike. Nw tryezwn e rrumbullakët me diplomatw nga shtete dhe organizata donatore, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato tha se ndërkombëtarët ishin gati ta ofronin por vuri theksin tek transparenca.

  " Do të doja të bëja thirrje për një koordinim të përmirësuar dhe të qëndrueshëm të asistencës së donatorëve përmes raportimit të rregullt dhe gjithëpërfshirës mbi zbatimin e të gjitha strategjive përkatëse ndërsektoriale, si ajo për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Kjo do të përmirësonte transparencën dhe përgjegjshmërinë e burimeve financiare të vëna në dispozicion nga Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar, duke rritur efikasitetin e kostos dhe planifikimin e asistencës së donatorëve për ministrinë e Brendshme dhe gjithë aktorët përkatës.

 Shqipëria është angazhuar tashmë për përmirësimin e koordinimit të donatorëve në udhërrëfyesin për Shtetin Ligjor dhe Agjendën e Reformës dhe unë pres me padurim përpjekje të përbashkëta të rinovuara dhe hapa konkretë në këtë drejtim. BE-ja do të jetë e gatshme t'ju mbështesë në këtë rrugë, duke e afruar Shqipërinë dhe qytetarët e saj me BE-në.

Ambasadori Gonzato theksoi se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkojnë një përgjigje të koordinuar të shumë aktorëve, duke përfshirë sektorin privat, dhe shoqërinë civile dhe tek reformat e shtetit ligjor që "duhet të përmirësojnë standardet dhe praktikat, duke krijuar një shtet më efikas që garanton siguri për të gjithë qytetarët, si dhe garanton mbrojtje dhe respekt për të drejtat e njeriut. Një vend më i sigurt, tërheq gjithashtu investitorë dhe nxit zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik"

Gjithashtu krijimi i një Observator Kombëtar të Drogave 

" Në luftën kundër drogave të paligjshme, presim me padurim krijimin e një sistemi funksional të paralajmërimit të hershëm dhe një Observator Kombëtar të Drogave për të përmirësuar shkëmbimin e të dhënave me Agjencinë e BE-së për Drogën"

Po kështu dhe ligji i policise se shtetit i cili pritet të shkojë javën që vjen në qeveri.

" Projektligji për Policinë e Shtetit Shqiptar është një tjetër hap i rëndësishëm. Ai synon të përmirësojë profesionalizimin dhe avancimin në karrierë bazuar në merita brenda policisë së shtetit, duke mbështetur në këtë mënyrë integritetin e policisë dhe duke rritur besimin e qytetarëve te shteti"

Shqipëria është duke hartuar një strategji kombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit për periudhën 2024-30, po ashtu si edhe një ligj të ri për policinë e shtetit, që pritet të rritë profesionalizmin, integritetin, bazuar në meritat e karrierës.

Fjala e plote e ambasadorit te BE-se, Gonzato

Kam kënaqësinë t'ju mirëpres të gjithëve në këtë konferencë për të diskutuar prioritetet e Shqipërisë në fusha vendimtare për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE. Këto përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar, rendin dhe sigurinë publike, si dhe menaxhimin e integruar të kufijve dhe menaxhimin e migracionit.

Prania e Ambasadës së SHBA-së, si dhe e partnerëve të tjerë të BE-së dhe ata ndërkombëtarë, tregon përkushtimin tonë të përbashkët kur bëhet fjalë për mbështetjen e Shqipërisë në reformat e shtetit ligjor.

Reformat e shtetit ligjor duhet të përmirësojnë standardet dhe praktikat, duke krijuar një shtet më efikas që garanton siguri për të gjithë qytetarët, si dhe garanton mbrojtje dhe respekt për të drejtat e njeriut. Një vend më i sigurt, tërheq gjithashtu investitorë dhe nxit zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Megjithatë, duhet të flasim edhe për sfidat me të cilat po përballet Shqipëria kur vjen puna për të luftuar infiltrimin e grupeve kriminale. Vlerësimi Kombëtar i Riskut për Pastrimin e Parave dhe Financimin e Terrorizmit për Shqipërinë për vitin 2023 identifikoi bankat dhe institucionet e përfshira në transaksione të pasurive të paluajtshme si subjektet financiare më të rrezikuara. Veçanërisht të ekspozuara janë transaksionet me para dhe transfertat brenda dhe jashtë vendit.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon një përgjigje të koordinuar nga shumë aktorë, përfshirë sektorin privat dhe shoqërinë civile. Përgëzoj vendimin e marrë në dhjetor 2023 nga Komisioni i Koordinimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave për krijimin e një grupi pune ndërinstitucional. Ky grup pune gjithëpërfshirës ka mandat për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Luftën kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024-2030, si dhe për të ndjekur rekomandimin e Vlerësimit Kombëtar të Riskut 2023.

Qasja e integruar ka çuar në rezultate shtesë, përkatësisht projektligji për Zyrën e Rikuperimit të Pasurive, i cili aktualisht është duke u konsultuar me shërbimet e BE-së. Krijimi i një Zyre për Rikuperimin e Pasurive që funksionon mirë, gjë që duhet të ndodhë së shpejti, është një hap i rëndësishëm në luftën tonë të përbashkët kundër krimit të organizuar, si dhe një pikë kyçe referimi në Agjendën e Reformës që do të vendoset së shpejti mes Shqipërisë dhe BE-së.

Projektligji për Policinë e Shtetit Shqiptar është një tjetër hap i rëndësishëm. Ai synon të përmirësojë profesionalizimin dhe avancimin në karrierë bazuar në merita brenda policisë së shtetit, duke mbështetur në këtë mënyrë integritetin e policisë dhe duke rritur besimin e qytetarëve te shteti.

Në luftën kundër drogave të paligjshme, presim me padurim krijimin e një sistemi funksional të paralajmërimit të hershëm dhe një Observator Kombëtar të Drogave për të përmirësuar shkëmbimin e të dhënave me Agjencinë e BE-së për Drogën. Bashkëpunimi i ngushtë mes ministrisë së Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë do të jetë shumë i rëndësishëm në këtë përpjekje.

Kur bëhet fjalë për menaxhimin e migracionit, zbatimi efektiv i strategjisë së migracionit të miratuar së fundmi, përfshirë strategjinë e menaxhimit të integruar të kufijve, është vendimtar për sigurinë e Shqipërisë, rajonit dhe BE-së. Menaxhimi efektiv i migracionit mund t'i shndërrojë sfidat e migracionit në mundësi për shoqëritë tona dhe të sigurojë mbrojtje të drejtë dhe njerëzore për njerëzit në nevojë.

Reformat e shtetit ligjor të lidhura me procesin e integrimit në BE janë komplekse dhe sfiduese. Përtej përshtatjes me standardet dhe ligjet e BE-së, zbatimi konkret është thelbësor. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian po e mbështet Shqipërinë me fonde dhe ekspertizë të nivelit të lartë nga shtetet tona anëtare.

Ndërsa ecim përpara, është e rëndësishme të përmirësojmë komunikimin mbi progresin e bërë për zbatimin e strategjive përkatëse dhe përdorimin e burimeve të disponueshme për Shqipërinë.

Do të doja të bëja thirrje për një koordinim të përmirësuar dhe të qëndrueshëm të asistencës së donatorëve përmes raportimit të rregullt dhe gjithëpërfshirës mbi zbatimin e të gjitha strategjive përkatëse ndërsektoriale, si ajo për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Kjo do të përmirësonte transparencën dhe përgjegjshmërinë e burimeve financiare të vëna në dispozicion nga Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar, duke rritur efikasitetin e kostos dhe planifikimin e asistencës së donatorëve për ministrinë e Brendshme dhe gjithë aktorët përkatës.

Shqipëria është angazhuar tashmë për përmirësimin e koordinimit të donatorëve në udhërrëfyesin për Shtetin Ligjor dhe Agjendën e Reformës dhe unë pres me padurim përpjekje të përbashkëta të rinovuara dhe hapa konkretë në këtë drejtim. BE-ja do të jetë e gatshme t'ju mbështesë në këtë rrugë, duke e afruar Shqipërinë dhe qytetarët e saj me BE-në.


Lajmi kryesor:

‘Ndiq paranë’, Balla: Ngrejmë zyrën për Rikuperimin e Aseteve, të godasim krimin! Ministri kërkon fonde nga donatorët, Gonzato: Ju mbështesim, por duhet transparencë


S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim