Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me banorët e Rajonit 2 në Elbasan.
Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se kandidatët e PS janë ‘bio’ e jo mall importi. Balla theksoi se synimi i ekipit të PS është që ta shndërrojë Elbasanin në qendrën e Shqipërisë në katër vitet e ardhshme.
“Asnjëri prej 15 kandidatëve të Partisë Socialiste nuk është ‘mall importi’, por është bio nga vendi. Prandaj dua t’i bëj një apel koshiencës qytetare të Rajonit 2 dhe të gjithë Elbasanit: Është koha t’i lëmë mënjanë bindjet tona të vjetra. Ka 30 vjet që Rajoni 2 ka një votë shumë të rëndësishme për Partinë Demokratike, por ka ardhur dita që të mos e votosh më Partinë Demokratike sepse nuk ka bërë asnjë punë në Elbasan, e që vota jote nuk ka më vlerë, duke ja dhënë një partie që pas këtyre zgjedhjeve ka shansin historik për tu rindërtuar nga fillimi. Ne do ta ndërtojmë Partinë Demokratike dhe do kontribuojmë gjithashtu, por kësaj radhe na duhet vota për Edi Ramen. Një kryeministër që ka bërë për Elbasanin më shumë se t gjithë jo në 30, por në 100 vjet. Qëllimi i ekipit tone është që ta shndërrojmë Elbasanin në Vlorën e 4 viteve të shkuara,Elbasani të jetë qendra e Shqipërisë në 4 vitet e ardhshme. Është e vërtetë që ne kemi bërë shumë punë, por as unë as Edi Rama nuk jemi ende të kënaqur me atë që kemi arritur në Elbasan. Nuk jemi ende aty ku duhet. Prandaj na duhet një mandat i ri.”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se beteja e PS është të vaksinojë sa më shumë qytetarë, ndërsa i PD të përhapë sa më shumë virusin.
“Shqipëria këto ditë ka dy beteja: 1 betejë tonën për vaksinimin dhe 1 betejë të Lulit për shpërndarjen e virusit. Thirrja ime është ju lutem ne duhet të vazhdojmë të mbajmë maskat, të ruajmë distancat, sepse është shumë e rëndësishmëe që ne të dalim nga kjo luftë me ballin lartë, që ne të kemi mundësi në fund të majit të hapim kufijtë të vijnë turistët se pa turistët, nuk ka ekonomi vendi ynë. Unë bie tërësisht dakort me Edi Ramën që ajo që do të bëhet në Elbasan do të jetë shumë herë më e bukur sesa ajo që ka bërë Korça dhe ajo që ka bërë Vlora. Ne na duhet një mandat i ri për të bërë në Elbasan atë që do ta transformojë këtë qytet në një destinacion. Sot Bashkia ka miratuar fondin dhe ka hedhur tenderin publik për studimin e ndërtimit të pritës dhe të projektit të madh të Auto-moto Parkut. Kjo na duhet të sjellë njerëz në Elbasan. Na duhet që çdo fundjavë në Elbasan të na vijnë minimalisht 5000-6000 vizitorë.”, u shpreh Balla.
Më tej, ai theksoi se aleati i Partisë Socialiste janë qytetarët e thjeshtë dhe të zakonshëm, teksa shtoi se Elbasani nuk mund t’ja besojë votën ‘fosileve politike’ siç i quajti ai opozitën dhe aleatët e saj.
“A mendon ndonjëri prej jush se Monika Kryemadhi apo Gazmend Bardhi mund të përfaqësojë Elbasanin më mirë sesa ne? A mendon ndonjëri prej jush se ata mund të lobojnë për Elbasanin më shumë sesa ne?
Vitet që do të vijnë do të jenë vite shumë më të mira për Shqipërinë, shumë më të mira për Elbasanin. Partia Socialiste e Shqipërisë është partia e njerëzve të thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi dhe aleati ynë i vetëm jeni ju, njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi. Aleatët e Lulit janë Nard Ndoka, Dash Shehi, Shpëtim Idrizi, Gon Duka…O Zot! Si mund t’ja besojë Elbasani votën këtyre fosileve që kanë 30 vjet që vetëm qarkullohen. Elbasani kësaj radhe duhet ta ndajë dhe prandaj ne kemi një superekip, kemi një supërprogram, por ajo që e dallon Partinë Socialiste është një superlidership nga Edi Rama dhe Elbasani di ta vlerësojë shumë mirë, njeriun që i duhet në këto kohë transformimi. Prandaj unë dua që në 25 prill lërini mënjanë të gjitha arsyet, të gjitha kënaqësitë, këto nuk janë zgjedhjet e radhës, këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të Shqipërisë në 30 vite, sepse këtu bëhet fjalë për të çuar përpara reforma që në rast se ndërpriten, jo vetëm që pengohen, por ato anulohen. Ne jemi këtu për t’i çuar të gjitha betejat në fund.”, përfundoi Balla.