Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka uruar sot 5 majin nga Varrezat e Dëshmorëve në Lushnje dhe Fier. Balla u shpreh se sot kujtojmë bijtë e Shqipërisë të cilët dhanë jetën e tyre për çlirimin e atdheut, si dhe propozoi që sot në një moment të caktuar të mbahen dy minuta heshtje në të gjithë Shqipërinë.
“Është tradita shqiptare tashmë që edhe dita e përkujtimit të të gjithë dëshmorëve, qofshin ata të luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, qofshin pjestarë të Forcave të Armatosura, të Forcave të Policisë së shtetit. Sot kujtojmë edhe dëshmorët e rënë në luftën për Çlirimin e Kosovës, Adem Jasharin dhe të gjithë heronjtë që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës. Në këtë ditë të bëhemi të gjithë bashkë për të përkujtuar të gjithë bijat dhe bijtë e Shqipërisë që dhanë jetën e tyre për çlirimin e atdheut, në dobi të interesave të Shqipërisë sonë të përbashkët. Meqenëse jemi në ditën e përkujtimit të Dëshmorëve, më lejoni të shtoj edhe dëshirën tonë, të një grupi deputetësh të Partisë Socialiste që në këtë ditë të kemi mundësinë sipas edhe një tradite që ekziston në shumë vende që në një kohë të caktuar pas përfundimit të homazheve të ketë dy minuta heshtje në të gjithë Shqipërinë. Unë mendoj që është diçka që do të jepte më shumë vlerë dhe më shumë peshë.”- tha Balla.
Gjithashtu Balla u pyet nga gazetarët edhe për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit.
“Partia Socialiste e Shqipërisë e ka thënë disa herë dhe e ka dhënë mendimin e vet për ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, që në vitin 2020. I takon tashmë Koimsionerit të zgjedhësve dhe gjithë strukturës që meret me administrimin dhe organizimin e zgjedhjeve në Shqipëri, që të kemi të mundur që në vitin 2025 të mundësojmë edhe votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Ju kemi borxh që pas 32 vitesh ata që kanë kontribuar me punën e tyre për ekonominë e vendit dhe vazhdojnë të kontribuojnë dhe janë një pjesë e madhe e Shqipërisë që në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 të kenë mundësinë që të shprehin vullnetin e tyre me votë”.- u shpreh Balla.
Lajmi kryesor: