Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, zhvilloi një takim me strukturat e FRESSH në Elbasan. Numri dy i PS-së ritheksoi edhe një herë se në qershor Shqipëria do të hapë negociatat me BE dhe se përpjekjet e opozitës për të penguar rrugën europiane të Shqipërisë janë të kota. “Jam shpresëplotë që ne do t’i hapim negociatat. Çfarëdo që të bëjë Lulzim Basha, rrugën europiane të Shqipërisë nuk e pengon dot”, tha ai.

Lidhur me protestën e opozitës Balla u bëri me dije të pranishmëve se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk po dalin në shesh për arsye të qeverisë, por për shkak të halleve që kreu i PD-së ka brenda partisë së tij, si edhe ngritjes së Prokurorisë Speciale Antikorrupsion.  “Duhet t’ua kujtojmë të gjithë njerëzve se arsyeja përse Partia Demokratike del në proteste është pikë së pari, sepse SPAK po ngrihet. Prokuroria Speciale Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë dy institucione shumë të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Kur flas për korrupsionin, flas për korrupsionin e 28 viteve me radhë që nuk është ndëshkuar dhe që të jeni të sigurt që do të ndëshkohet.

Po ashtu, Luli ka edhe një hall tjetër. Protestën po e bën për shkak të halleve që ka brenda partisë së vet. Ju e keni parë si vajti puna me Presidentin e Republikës para pak javësh ku presidenti doli hapur jo si President i Republikës, por si një kryetar alternativ i opozitës. Kështu që e gjithë kjo përpjekje që bën Lulëzimi për të radikalizuar marrëdhëniet e tij me mazhorancën nuk ka të bëjë fare me mazhorancën. Ne me Lulin jemi të gatshëm të komunikojmë për çështjet e rëndësishme të vendit sikurse është Reforma Zgjedhore, sikurse është rruga europiane e Shqipërisë. Luli ka hallin e vet. Ne hallin e Lulit nuk e zgjidhim dot”, përfundoi Balla fjalën e tij.