Ministri Balla replkoi në seancën plenare me deputetin e Rithemelimit, Flamur Noka, teksa ky i fundi sulmoi shkollën e Magjistraturës dhe kreun e kësaj shkolle Arben Rakipi duke e cilësuar si ish-spiun të sigurimit të shtetit. Balla i kërkoi Nokës të kërkojë falje dhe të mos sulmojnë më kryeprokurorët dhe ambasadorët amerikanë. Ministri Balla, tha se kriminaliteti është ulur dhe Shqipëria është kthyer në një nga vendet më të sigurta për turistët. Opozitës i kujtoi kohën kur nën qeverinë Berisha vlera e kanabisit në Lazarat ishte dy herë më e madhe se buxheti i shtetit.
Krye-zëvendës-lider, siç të quan nën/krye-zëvendës-lider Gjekmarkaj, çke që hyn në detaje? Pse hyni në detaje dhe në diskutim shifrash?
Nuk kishe ardhur, se ishe duke fjetur në mëngjes, kur u kujtova kolegëve të tu një shifër që ua përmendi kolegu Shalsi, që është shifra më domethënëse që ju duhet të mbyllni gojën njëherë e për gjithmonë, dhe që ju për këtë çështje nuk mund të flisni kurrë.
Shifrën që ta ka lexuar zotrote kur ti ishe në zyrën që unë mbaj sot, krah për krah me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, Komandanti i Guardia di Finanza-s, Bastioni, në 5 gusht 2013. Dhe po ta rilexoj: “Në Lazarat lënda narkotike mund të arrijë në 900 ton. Ndërsa nga vlera e shitjes së saj, mund të përfitohet 4,5 miliard euro. Kemi bërë fotografi nga lartësia që dëshmojnë realitetin në Lazarat”.
Dhe për ta bërë më të kuptueshme për ty nëse i referohemi buxhetit të shtetit 3,3 miliard dollarë, dhe me kursin e këmbimit, i bie fiks ajo që tha z. Shalsi, që tha: “Buxheti i shtetit në kohën kur e mbyllët ju, që s’keni për t’u kthyer më kurrë, ishte dy herë më i vogël në vlerë, se sasia në vlerë e kanabisit që kultivonit dhe shisnit ju!”
Por, do të kisha shumë dëshirë të flisja për ofruesin e shërbimit të lundrimit ajror “Albkontrol”, sepse nëse ne kemi një pasaportë realisht europiane “Albkontroll-i” është “Made in Europe” 100%. Është ajo që jemi anëtarë të BE, por nuk do flas për këtë sepse edhe për shkak të viteve që kam në këtë sallë më bëri përshtypje sulmi i radhës që ju bë një institucioni tjetër të drejtësisë.
Në rastin në fjalë, halli ua do të sulmohet, nuk e di për cilin hesap, i kam disa dyshime, por për kë hesap e keni që po sulmoni Shkollën e Magjistraturës. Por deri më sot, të paktën unë kam 20 vite, nuk kishte ndodhur që njëra prej palëve politike të sulmonte Shkollën e Magjistraturës. Arsyeja pse nuk ka ndodhur është se që prej vitit 1997 - 1998, kjo shkollë, që ne e kemi pranuar të gjithë në thonjëza “çedimi sovraniteti”, sepse Shkollën e Magjistraturës, ua kemi besuar atyre që janë partnerët tanë më të rëndësishëm. Që nga 1997-1998, mos gaboj, certifikimin ose sekretimin e procesit ia kemi besuar OSBE-së. I kemi thënë OSBE-së që duhet të jeni ju. Aty janë projektet e shumta, mirënjohje, taksapaguesve amerikanë, përmes të cilëve Ambasada Amerikane është prezente në projektet e veta të mbështetjes, sepse në fund të fundit aty është burimi i magjistratëve, aty është Këshilli i Evropës dhe plot partnerë të tjerë.
Është një proces që zhvillohet me një pajisje digjitale, përmes një skantroni, një proces që është qartësuar siç kam ndjekur unë, në publik, e ke ndjekur edhe ti. Pra është qartësuar dhe nuk ka asnjë problem. Procesi ka vazhduar normalisht, pajisja kur ka marrë faqet nuk ka marrë një faqe të fundit, është ribërë vlerësimi, kanë dalë të gjithë. Asnjë prej atyre që janë aty nuk kanë ankesa. Pse ankohesh ti? Pastaj shkohet tek halli se duhet gjetur një copë baltë edhe pastaj duhet gjetur se kush duhet goditur.
Dëgjova këtu, që godisnit drejtorin e shkollës, juristin e nderuar Arben Rakipi. Këtu kuptova se kush është halli. Flamur, kam vetëm një pyetje, si ka mundësi që ti si kryezëvendës-lider, riprodhon por me gabime në formë dhe në përmbajtje, gjithë baltën që ka prodhuar, ish-lideri yt, në arrest shtëpie?!
Nga 1992 e deri më 2024, “babai” yt politik i ka sulmuar me radhë. Ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Maksim Haxhia, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Ina Rama. Dhe tani po sulmoni Prokurorin e Përgjithshëm Olsi Çela dhe drejtuesin e SPAK Altin Dumani.
Ju nuk të lini fare hapësirë që t’ju mbrojë dikush, sepse jeni konsekuentë. Nuk keni lënë asnjë Prokuror të Përgjithshëm me përjashtim të Adriatik Llallës, për arsye që nuk po i ndaj këtu.
Këtu pastaj qershia mbi tortë. Njëlloj, siç keni sulmuar gjithë prokurorët e përgjithshëm, keni sulmuar të gjithë ambasadorët amerikanë. Nga i pari te i fundit! Me përjashtim të Rajersonit, i cili iku shpejt. E filluat me Mariza Linon, pastaj kaluat te John Withers, pastaj te James Jefrey, Marci Ries e me radhë, pastaj te Arvizu, Donald Lu e Juri Kim dhe presim tani ambasadorin e radhës që sapo ka kaluar në Senat, që të vijë e të filloni të njëjtën këngë!
Tani, si ka mundësi që ju sulmoni edhe Prokurorin e Përgjithshëm, edhe ambasadorin amerikan?! Si ka mundësi, o Flamur? Ngrije kokën pra!
Dhe vini merrni fjalën këtu në mëngjes dhe kërkoni përgjegjësi, një pjesë të cilat s’na takojnë, kur fjalë për sulm ndaj një magjistrati, si ai që ka ndodhur të dielën në Shkodër, për të cilin unë kam thënë që është një test për Policinë e Shkodrës dhe që sapo të konkludohet, bashkë me prokurorinë është diçka që duhet ta zbardhim domosdoshmërisht, që maskarenjtë të mos marrin hov kundër drejtësisë së re që po lind në gërmadhat e drejtësisë së vjetër. Por ka ardhur koha që disa prej jush t’i thërrasin mendjes. Secili prej atyre magjistratëve, nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, te Prokurori i Përgjithshëm, te z. Rakipi e të gjithë me radhë, janë familjarë në radhë të parë. Dhe ç‘punë keni ju t’u hyni këtyre njerëzve me “libër shpie”? Ti je i fundit që mund të thuash për historira “sigurimi” o Flamur! Të lutem. I thua ti Arben Rakipit “sigurims”! Po jo, mos e bëj këtë gjë, se po u hapën ato të shkreta letra, aman, s’dihet si del!
Në këtë sallë, Dashi, në këtë sallë, ju e dini edhe si ka funksionuar, fare mirë, shumica, kanë qenë një çik këtej Dashi, e di fare mirë. Megjithatë, ne i kemi bërë përpjekjet tona dhe mos e harroni, ju e keni premtuar, ne e kemi bërë realitet edhe pjesën e hapjes së dosjeve.
Kështu që, Flamur, tërhiqi mbrapsht ato që the, kërkoi falje Shkollës së Magjistraturës, mund të ketë qenë ndonjë ëndërr e mbetur në sirtar për ty, por ti zgjodhe doktorin dhe si ai doktori tjetër, s’e bërë kurrë profesionin!
Lajmi kryesor: