Kuvendi i Shqipërisë kërkon 40.7 milionë lekë për vitin 2027 për financimin e projektit “Media Hub, AI-Memoria Digjitale dhe Inteligjenca e Punimeve Parlamentare”, një investim që synon zhvillimin e infrastrukturës digjitale të institucionit.

Kërkesa është pjesë e dokumentit zyrtar që administrata e Kuvendit i ka drejtuar më 6 nëntor 2026 kryetarit Niko Peleshi, Byrosë së Kuvendit dhe Sekretariatit për Buxhetin, përmes të cilit kërkohet rritja e financimit të institucionit për vitin e ardhshëm.

Dokumenti do të shqyrtohet sot në orën 14:00 në Byronë e Kuvendit.

Sipas dokumentit, projekti “FV Media Hub Kuvendi” ishte përfshirë fillimisht në buxhetin e vitit 2026 me një fond prej 50.2 milionë lekësh.

Megjithatë, administrata parlamentare sqaron se, në zbatim të ligjit për qeverisjen elektronike dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 369, datë 20 maj 2026, për përcaktimin e rregullave të pagesave të shërbimeve të ofruara nga shoqëria Albanian Digital Solution (ADS) sh.a. ndaj institucioneve publike përfituese, Kuvendi ka ndjekur komunikimet zyrtare me këtë shoqëri.

Në dokument theksohet se gjatë muajit nëntor 2026 është lidhur kontrata për zhvillimin e këtij investimi.

Financimi i projektit është parashikuar të realizohet në faza, në përputhje me grafikun e punimeve. Për vitin 2026, administrata e Kuvendit parashikon likuidimin e vetëm 8,568,200 lekëve, ndërsa për vitin 2027 kërkon financimin e pjesës së mbetur prej 40,704,468 lekësh.

Në total, Kuvendi kërkon 213.7 milionë lekë për investime kapitale gjatë vitit 2027, nga të cilat 165.7 milionë lekë janë fonde shtesë mbi shumën e parashikuar në projektbuxhet.

Megjithatë, në dokumentin e administratës parlamentare nuk jepen hollësi mbi funksionalitetet konkrete të platformës “Media Hub”, mënyrën se si do të përdoret inteligjenca artificiale apo shërbimet që do të ofrojë për deputetët, administratën, gazetarët dhe publikun.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:01
Report Tv zbardh kërkesën/ Kuvendi kërkon 500 mijë lekë për libra për deputetët, kryesisht literaturë në gjuhë të huaj

Deputetët do të mësojnë për Bashkimin Europian dhe vlerat e BE përmes librave të blerë nga Kuvendi.

Kuvendi i Shqipërisë kërkon një fond prej 500 mijë lekësh në buxhetin e vitit 2027 për blerjen e librave fizikë dhe digjitalë, të cilët do të jenë në dispozicion të deputetëve dhe administratës parlamentare.

Kërkesa është përfshirë në dokumentin zyrtar të administratës së Kuvendit, drejtuar kryetarit Niko Peleshi, Byrosë së Kuvendit dhe Sekretariatit për Buxhetin, në kuadër të shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2027.

Sipas dokumentit, fondi do të përdoret për pasurimin e Bibliotekës së Kuvendit me literaturë të specializuar, kryesisht në fushën e së drejtës, politikave të Bashkimit Europian dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

“Blerjet do të përqendrohen në literaturën në gjuhë të huaj, me tituj që mbulojnë fusha të ndryshme të së drejtës, politikave dhe integrimit europian”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Sipas administratës së Kuvendit, përzgjedhja e librave do të bëhet në përputhje me prioritetet dhe nevojat e identifikuara nga shërbimi i Bibliotekës së Kuvendit.