Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla zhvilloi sot një takim në Kuvend me Bernard Dikën, këshilltar rajonal për Pistoian dhe nënsekretar në Presidencën e Rajonit të Toskanës.
Balla e cilësoi Dikën si një histori suksesi të diasporës shqiptare në Itali, duke theksuar se shqiptarët jashtë vendit përfaqësojnë me dinjitet Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
“Shqiptarët në diasporë janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë”, u shpreh ai, duke vlerësuar kontributin e tyre në promovimin e imazhit të vendit.
Bernard Dika është një nga figurat e reja më premtuese të diasporës shqiptare në Itali. Me origjinë nga Elbasani, ai u rrit dhe u formua në Pistoia, ku familja e tij u vendos pas emigrimit në vitet ’90.
Vetëm 28 vjeç, Dika ka arritur një sukses të rëndësishëm në politikën lokale italiane, duke u renditur ndër më të votuarit në zgjedhjet rajonale të Toskanës për Partinë Demokratike.
Angazhimi i tij politik ka nisur që në moshë shumë të re, ndërsa historia personale përfaqëson sakrificat dhe integrimin e brezit të ri të emigrantëve shqiptarë, që sot po marrin role gjithnjë e më të rëndësishme në jetën publike dhe vendimmarrëse në Itali.
Komente










