Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla zhvilloi një takim me gratë dhe vajzat në Njësinë Adminitrative Tregan në Elbasanit.
Në hyrje të fjalës së tij Balla theksoi rëndësinë e figurës së gruas në arritjen e barazisë gjinore në qeverisje. Prirja e Partisë Socialiste për të shkuar drejt një barazie të plotë, sipas tij e ka transformuar Shqipërinë, duke e bërë një nga 5 vendet e para në botë për barazinë gjinore në qeverisje.
“Prej momentit të parë qasja e PS ndaj grave, nënave motrave, është një qasje që buron nga disa fakte që janë të pakontestueshme. Po do të mbarosh një punë siç duhet leja grave. Po do që punën ta lesh pa mbaruar leja burrave dhe po do që gjërat të ndryshojnë në Shqipëri kërko mbështetjen e grave, vajzave, motrave shqiptare. Prirja jonë për të shkuar drejt një barazie të plotë gjinore i ka bërë mirë Shqipërisë, e ka transformuar Shqipërinë. Kemi arritur të jemi sot një ndër 5 vendet e para në botë për barazinë gjinore në qeverisje”, tha Balla.
Balla ironizoi listat e PD dhe LSI, për të cilat u shpreh se shanset për të fituar një kandidat i PD në këtë zonë janë të barabarta me mundësinë që Belshi të fitojë Champions League.
“Ne kemi një ekip që është i gjithi 100% nga qarku i Elbasanit. Hidhini një sy listës së PD, LSI. A e gjen dot një grua nga Tregani mundësinë që dikush aty ta përfaqësojë? Edhe pse mund të ketë një banor të zonës këtu, i cili shanset që të jetë deputet në Kuvendin e Shqipërisë i ka sa të fitojë ekipi i Belshit Champions League, njëlloj. Kur të fitojë Belshi Champsion League, kandidati për deputet i PD këtu mund të zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Balla.
Duke u ndalur tek bizneset në zonën e Treganit, numri dy i PS tha se qeveria ka bërë të mundur që bizneset të paguajnë vetëm 6% tvsh. Sipas tij në rast se PD dhe LSI vjen në pushtet bizneset do të duhet të paguajnë përkatësisht 9-10% të tatimit mbi pagën.
“Në rast se larg qoftë vjen partia e atij të lopatës ai ju merr 10% të tatimit mbi pagën. Dhe në rast se larg qoftë bëhet Monika Kryemadhi ministre e financave o zot na ruaj! Hotelet e Treganit do të duhet të paguajnë 9% të xhiros për Monikën. Monika futi 12 ballokume e nxori 6”, tha Balla.
Në fund të fjalës së tij Balla teksa shprehu mirënjohje për gratë dhe vajzat e vendit tha se pas SHBA dhe BE ato janë aleati më i madh i PS për të çuar para reformën në drejtësi.
“Aleati më i madh i Partisë Socialiste pas SHBA dhe BE, për të çuar përpara reformën në drejtësi janë gratë dhe vajzat e këtij vendi.
Kur fola për reformën në drejtësi dhe drejtësinë e munguar aleati më i madh i Partisë Socialiste pas SHBA dhe BE, për të çuar përpara reformën në drejtësi janë gratë dhe vajzat e këtij vendi, të cilat e dinë rëndësinë që ka që në këtë vend të kemi drejtësi të pavarur nga politika. Që burri dhe gruaja para drejtësisë të jenë njëlloj, që i pasuri dhe i varfëri para drejtësisë të jenë njëlloj, që socialisti dhe demokrati para drejtësisë të jenë njëlloj. Kjo është drejtësia që në po ndërtojmë dhe kemi nevojë që më 25 prill të kemi të gjitha gratë e Treganit, të shkojnë dhe të votojnë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, deklaroi Balla.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim me të rinjtë e rajonit nr.2 në Elbasan.
Në hyrje të fjalës së tij, Balla tha se pas zgjedhjeve të rinjtë e Elbasanit do t’i japin Partisë Socialiste dhe Edi Ramës të paktën 9 mandate.
“Ne ende nuk kemi arritur të bëjmë atë që ne duam të realizojmë për Elbasanin. Ndaj na duhet një mandat i tretë, një akt i ri për ti dhënë Elbasanit vendin që i takon”, tha Balla.
Teksa u ndal tek projekti më i fundit në Elbasan “AutoMoto Park”, numri dy i PS tha se ky investim do të sigurojë shumë vende pune për të rinjtë në Elbasan.
Më tej Balla ironizoi Partinë Demokratike, për të cilën tha se për ta nuk ekziston fare Elbasani në planin e tyre.
“I vetmi nga Elbasani në listën e PD, është njëri që shquhet në CV e tij që ka vrarë brenda një dite 25 thëllëza. E vetmja parti që po punon çdo ditë për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa është Partia Socialiste dhe Edi Rama”, tha Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, u kërkoi të rinjve që të investojnë votën e tyre tek PS, e cila sipas tij nuk i ka bërë keq interesave të Shqipërisë.
“Është Partia Socialiste e Shqipërisë që përgjatë gjithë 30 viteve tranzicion ka punuar për të transformuar vendin. Fati i keq i PS ka qenë se është dashur gjithmonë ta marrë qeverisjen e vendit pasi e ka shkatërruar Partia Demokratike”, tha Balla.
Në fund të fjalës së tij, Balla duke i falënderuar të rinjtë tha se vota e tyre nevojitet për të siguruar një mandat që do tu sigurojë punësim të rinjve.