Forcimi i luftës kundër krimit e korrupsionit ishte në qendër të takimit për mbi dy orë që ministri i brendshëm Taulant Balla zhvilloi me prokurorin e përgjithshëm Olsian Çela.
Gjatë takimit vetëm pak ditë pasi mori detyrën, Balla kërkoi mbështetjen e Prokurorisë në goditjen e “të fortëve” dhe rrjeteve të shpërndarësve të drogës.
Kryeprokurori Çela dhe Ministri i Brendshëm shprehën nevojën e rritjes së cilësisë së hetimeve dhe procedimin e personave që demonstrojnë sjelljen e “të fortëve” në të gjithë vendin, me qëllim goditjen dhe parandalimin e fenomeneve kriminale që prekin nga afër qytetarët.
Balla dhe Çela për dy orë me radhë kanë diskutuar lidhur me rritjen e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë me fokus intensifikimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
Bashkëpunimi i ngushtë u vlerësua nga të dyja palët si parakusht dhe çëlësi i suksesit për realizimin e objektivave të përbashkëta.
Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Brendshëm vunë gjithashtu theksin edhe tek nevoja e rritjes së cilësisë së hetimeve dhe një qasje proaktive në monitorimin dhe procedimin e “të fortëve” në lagje, në sheshe e qendra të banuara në të gjithë vendin, me qëllim goditjen dhe parandalimin e fenomeneve kriminale që prekin nga afër qytetarët.
Në takim ishin të pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela dhe Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu.
Komente

