Projekti i rehabilitimit Tiranë-Durrës dhe për linjën e aeroportit të Tiranës ishte një nga temat e rendit të ditës në Parlament.
Fjalën për mazhorancën e mbajti ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili akuzoi opozitën se është kundër zhvillimit dhe teknologjisë.
Ai kundërshtoi opozitën për pretendimet se po kalohen ligje me motive elektorale, duke thënë se Parlamenti duhet të jetë në punë, pavarësisht zgjedhjeve.

“Nuk kemi kohë për të humbur. Po çojmë përpara vizionin tonë Shqipëria 2030. Edhe pse jemi në prag fushate eketorale puna jonë këtu në Parlament është të vazhdojmë punën, për të qeverisur, për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë për qytetarët tanë, përfshi edhe nismën e Paketës së Maleve. Kundërshtia juaj për paketën e maleve është minimalisht një gafë. Paketa e maleve është mirëpritur nga diaspora. Shumë prej tyre janë gati ta shftrytëzojnë pronën e familjes për t’u rikthyer me vendin e tyre. Pse jeni kundër ju? Paketa e Maleve është mirëpritur nga vëllezërit tanë në Diasporë, sepse pronat e familjes së tyre ta shfrytëzojnë në Shqipëri. Tani pse ju jeni kundër. Po ju ka lënë Luli mbrapsht, do jenë 500 jo 100 leje. Do jenë edhe 5 mijë”, tha Balla për projektligjin e qeverisë që zhvillon turizmin malor.
Pika e dytë ishte çështja e marrëveshjeve për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë dhe ajo e Rinasit për në aeroport. Edhe këtu Balla sulmoi PD-në, se pengon investimet dhe zhvillimin e vendit.
“Ka shqiptarë që duan të shkojnë me tren në Durrës dhe jo me autobus. Erdhi njëri këtu dikur dhe e anuloi se s’i pëlqen treni. Treni do bëhet dhe do jetë i standardeve europiane. Nuk do shkoni më me Benz në Rinas, por me tren. Çfarë probleme keni me trenin ju? Jeni parti që do mbaheni mend kundër zhvillimit dhe teknologjisë dhe që s’e mori vesh asnjëherë populli. Mbështesim projektin e hekurudhës dhe fondin për të me anë të partnerit serioz të BERZH-it. Ju votën do ta jepni sepse nuk jeni të gjithë kundër zhvillimit, se edhe ju do hipni në trenin që do realizohet fal kësaj marrëveshjeje. Se ishte njëri dikur që premtoi tramvajin. Vitin e ardhshëm do kemi gati godinat dhe elektrifikimin e një pjese të hekururdhave. Deri tani janë realizuar 80% të punimeve dhe konsiston në 34 km linje hekurudhore Durrës-Tiranë. Do mundesohet dhe ndërtimi i 12 godinave për stacionet hekurudhore. Ju nuk i doni trenat, ju mbani trenat tuaj, ne do vazhdojmë drejt rrugës Shqipëria 2030”, përfundoi ai duke ironizuar ish-kreun e PD-së dhe Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Lajmi kryesor:
Kuvend, debat për votën e diasporës/ Berisha: E solla në 2013 por Rama më kërcënoi keq! Replikon PS: Jemi dakordësuar për ndryshimet në kod, doni t'a vrisni këtë proces
A.Q/Shqiptarja.com

