Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla përmes një statusi në rrjetet sociale ka reaguar për rastin ‘Babale’, ku prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje burg për Albert Veliun dhe për kunatin e tij, pasi audio përgjimi u cilësua si montazh nga organi i akuzës, bazuar te ekspertiza. Balla shprehet se zbardhja e babale1 dhe 2, referuar ngjarjes së Fushë Krujës, i shërben edhe shpëtimit të PD.

Rrallë ka momente ne historinë politike, kur fytyra e opozitës si institucion dhe nevojë për një vend, i bie të shpëtohet nga kundërshtari në mazhorancë. Zbardhja e babale1&2, i shërben edhe shpëtimit të PD.

Taulant Balla

Pas statusit të Ballës, ka reaguar menjëherë deputeti i PD, Ervin Salianji i cili shprehet se u falsifikuan provat, ndërsa ka edhe një paralajmërim.

Për të mbuluar përfshirjet e tua Taulant, Edi Ramës do i duheshin 5 vjet, jo 5 muaj, si në rastin e vëllait Agron, për të falsifikuar e prishur provat. Ti nga “furra” jote për 6 ditë nxore tabulate telefonike “të skaduara”, por ato nuk bindin dot as miqtë e tu të krimit! Sot është dita për të thënë, nuk keni parë gjë akoma...

Ervin Salianji

Kujtojmë që Rama paralajmëroi dje Bashën se nesër do të ketë të reja për kryetarin demokrat, për ato që ai i quan 'lehaqeniet' e politikës dhe medias.  

Qetësohu Lulëzim! Mos bëj nevrikun kot xhan se s'ta ka fajin askush që e bëre Shqupin Kinostudio.Tani fli deri pasnesër (nesër) kur të kem ca të reja për ty e për tërë lehaqeniet e klubeve politike e mediatike, që siç dhunuan 10 ditë rresht një vajzë dhunojnë përditë publikun shqiptar.

Statusi i i Edi Ramës dje