Provokimet e ndryshme antishqiptare nga ana e individëve, partive dhe pushtetarëve serbë nuk kanë pushuar asnjëherë gjatë këtyre15 vjetëve.

Ne të shumtën e rasteve ato ishin me shumë retorikë që po përdoreshin si folklor politik veçmas gjatë fushatave zgjedhore.

Me kohë këto kërcënime po zbeheshin sikurse edhe vetë politikanët nacionalistë, të cilët po plakeshin, po tërhiqeshin, por edhe po vdisnin.

Serbët sikur edhe shqiptarët tanimë i kanë kuptuar kushtet kryesore që duhet përmbushur për integrimet euroatlantike. Por, po del se jo të gjithë serbët!

Derisa dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja filloi t’i japë rezultatet e para, në skenën politike në Kosovë doli një grupacion i ri i quajtur Lista “Srpska", të cilët qysh në fillim, me një arrogancë të theksuar jo vetëm ndaj institucioneve kosovare, por edhe ndaj serbëve të Kosovës që rezonojnë esëll, po tregonin haptas se janë ata, të cilët e kanë përkrahjen e plotë të Beogradit.

Lista “Srpska" neutralizoi të gjitha partitë e tjera serbe, duke e përkrahur vijën ultranacionaliste të Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka synim ta kantonizojë Kosovën me enklava të banuara me shumicë serbe.

Për më tepër kjo vijë përkrahet edhe nga oligarku Putin, i cili me dëshirë do ta minonte progresin e suksesshëm të Perëndimit, e veçmas të NATO-s, Kosovën e pavarur dhe demokratike.

Dhe derisa gjeneratat e politikaneve të vjetër, të lodhur nga luftërat dhe rimëkëmbjet e marrëdhënieve ndëretnike po i largohen në forma të ndryshme, gjenerata “X” ka filluar ta masë forcën e saj reale.

Jabllanoviq shfaqet në skenë energjik, plot testosteron i fryrë me mite të lashta, por edhe të reja.

Jo vetëm statusi i garantuar për pakicat, por edhe përçarja e thellë mes partive shqiptare në Kosovë, atij i dha një vetëbesim të tepruar.

Atij nuk i mjaftoi vetëm fyerja publike, duke i quajtur nënat dhe familjarët e civilëve të vrarë në Gjakovë "egërsira".

Ai vazhdoi me provokime se kinse nuk e paska ditur se në Kosovë paskan ndodhur krime lufte.

Ai kërkoi falje vetëm pasi u ballafaqua me pakënaqësinë e popullsisë shumicë, të kolegut të tij, ministrit, Valon Murati, ish-komandantit të UÇK-së dhe deputetit, Ramush Haradinaj, Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe shoqatave "Thirrjet e nënave".

Por, ishim dëshmitarë, kryeministri i ri Kosovës, i lindur më 1951 dhe i lodhur nga ballafaqimet e tij me gjeneratën e vet tash e 30 vjet, po i soset energjia për t’u përballur me Jabllanoviqët e rinj, të cilët tani po duket qartë se përgatisin terrenin për një realitet të ri në Kosovë.

Lista “Srpska" duhet të ballafaqohet nga pala shqiptare me dituri, fakte, argumente e ligje, me gjuhë kreative e të sotmes, por assesi me servilizëm të së kaluarës.

Tani ky është ballafaqim personal i gjeneratës “X”, ku gjenerata e vjetër duhet t’u hapë rrugë gjeneratave të reja dhe kreative, ashtu siç ndodh në shumë shtete fqinje dhe në mbarë botën e civilizuar.