Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sapo e kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt familjes Europiane. Kohëzgjatja deri në finishin e kësaj rruge të gjatë është tërësisht në duart dhe vullnetin e udhëheqësve të vendeve respektive për të plotësuar standardet e kërkuara nga BE. Se sa vite do t’u duhen këtyre dy vendeve deri në anëtarësim, nuk mund të parashikohet, por mbetet në varësi të kohës që u duhet vendeve të adaptojnë ligjet e BE, në bazë të 35 kapitujve që prekin të gjitha sferat e jetës. Disa vende si Serbia, Turqia dhe Mali i Zi kanë vite të tëra që presin finalizimi ne bisedimeve, pa pasur ende një datë se kur bëjhen pjesë e unionit.

Turqia është duke negociuar pranimin e saj në Bashkimin Evropian që prej 3 tetorit 2005. Progresi ishte i ngadaltë, dhe nga 35 kapitujt e nevojshëm për të përfunduar procesin e pranimit, vetëm 16 janë hapur deri në maj 2016. Që nga viti 2016 negociatat e pranimit kanë ngecur. BE ka akuzuar dhe kritikuar Turqinë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe deficite në sundimin e ligjit.  Në vitin 2017, zyrtarët e BE u shprehën se politikat e planifikuara turke shkelin kriteret e Kopenhagës të pranueshmërisë për një anëtarësim në BE, çka solli dhe pezullim të negociatave.

Serbia është një model tjetër i rrugëtimit të gjatë drejt Bashkimit Europian. Beogradi ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE më 29 prill 2008, në Luksemburg, ndërsa negociatat për anëtarësimin filluan më 21 janar 2014. Ndër fushat, për të cilat Brukseli ka kërkuar reforma, janë ajo e të drejtave themelore të njeriut, drejtësisë, lirisë, sigurisë dhe sidomos fusha e ambientit, ku distanca me vendet e tjera evropiane është e konsiderueshme. Një nga çështjet më të ndjeshme të udhëtimit të Beogradit drejt anëtarësimit është dhe njohja e Kosovës, çka ka sjellë dhe ngecje të ecurisë, e madje edhe hapa pas, në këndvështrimin e ish-ministrit të Jashtëm Aldo Bumçi.

Së fundmi Mali i Zi. Bisedimet e anëtarësimit me Malin e Zi filluan më 29 qershor 2012. Me 32 kapituj të hapur, vendi gëzon një mbështetje të gjerë midis zyrtarëve të anëtarëve të BE-së, dhe pranimi i vendit në BE konsiderohet i mundur deri në vitin 2025, duke parë ecurinë pozitive të punës së bërë nga zyrtarët e Malit të zi.

Në historinë e Bashkimit Europian, më së shpejti këtë proces e kanë kaluar në vetëm 3 vjet që nga nisja e bisedimeve dhe kjo është një dëshmi e pakontestueshme se fati i anëtarësimit ne BE tashmë është në dorë të vullnetit të udhëheqjes politike të vendit.