Ballkani i Hapur/ Rama-Zaev: Nisma po bëhet konkrete, ndryshon jetën e njerëzve tanë! Vuçiç: Serbinë ta shihni si shtëpinë tuaj, ulemi edhe me Kosovën (VIDEO)

Ka përfunduar me një konferencë të përbashkët, samiti i radhës i 'Open Balkan' në Tiranë. Pas firmosjes së 5 marrëveshjeve të rëndësishme, mes tre vendeve, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, kryeministri Rama tha se zbatimi i marrëveshjeve do të nisin menjëherë.

I pari që mori fjalën ishte Kryeministri Rama i cili tha se marrëveshjet e rëndësishme të firmosura sot ndryshojnë jetën e qytetarëve. Nga ana tjetër kryeministri Rama tha prerë që nisma e ‘Open Balkan’ nuk do të ndalet dhe se ato shtete që nuk janë përfshirë vetëm po humbasin kohë. Rama tha se në Samitin e ardhshëm do të ftojnë që të marrin pjesë edhe Greqinë, Italinë e Hungarinë, që nisma të nisë me to.

"Mundësinë dhe të drejtën e të gjithë qytetarëve për të pasur akses të menjëhershëm dhe të barabartë për lejet e punës dhe të qëndrimit. Marrëveshje për sistemin e integruar elektronik të shërbimeve i jep mundësi qytetarëve që duan të marrin shërbime të caktuara ta bëjnë këtë online, pa lëvizur nga shtëpia. Nga Janari i vitit të ardhshëm do të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respekteve, pas pasur mundësi të sigurojnë 3 herë të njëjtat dokumente, që lidhen me import-eksportin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Për herë të parë do të çelet eksporti për kafshët e gjalla, në bazë të besimit mes autoriteteve homologe. Për tregtuesin do të funksionojë si  1. Të gjitha vendet tona janë të super interesuar për tregje të reja. Të gjitha këto janë marrëveshje të cilat nuk janë as më shumë e as më pak se ato të tregut të përbashkët evropian. E tha qartë edhe Komisioneri që Komisioni Europian e mbështet plotësisht Ballkanin e Hapur dhe fton 3 vendet e tjera t'i bashkohen. Ne jetën tonë e përmirësojmë vetëm duke i marrë vetë në dorë fatet tona", tha Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se se vendet e Ballkanit nuk mund të presin proceset e BE për të evropianizuar jetën për qytetarët e tyre. Ndërsa Aleksandër Vuçiç, u pyet nëse do të pranonte të ulej në një tryezë me Kosovën, me flamujt dhe simbolet e saj, presidenti serb tha se nuk do të kishte asnjë problem që të bashkëpunonin në kuadër të nismës ‘Open Balkan’.

‘Jemi për të ndërtuar dhe jo për të djegur flamur’, tha presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ndërsa mbështeti mendimin e kryeministrit Edi Rama, se kush nuk përfshihet në nismë vetëm humbet kohë, pasi kjo nuk ka kthim pas.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:06
A do të pranoni flamurin e Kosovës nëse pranon Ballkanin e hapur? Përgjigjet Aleksandër Vuçiç

‘Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë pikëpamje të ndryshme për Kosovën, por kjo nuk është arsye pse të mos flasim apo që dikush mos të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur’. Kështu u përgjigj presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku u pyet a do ta pranojë flamurin e Kosovës nëse pranon t’i bashkohet kësaj nisme. Por Vuçiç tha se në kuadër të Ballkanit të Hapur, nuk e kanë asnjë problem që të ulen në tryezë bashkëpunimi edhe më Kosovën.

'Ne kemi pikëpamje të ndryshme për Kosovën. Por kjo nuk është arsye që ne të mos flasim apo dikush mos të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, ne mund të përmendim pikat e kalimit kufitar në Jarinjë midis Kosovës dhe Serbisë apo drejt Luginës së Preshevës apo Serbisë qendrore. Por të flasim për thelbin. A do të jetë më e lehtë për shqiptarët e serbët nëse nuk do kishte kufij apo radhë që njerëzit të lëviznin lirisht? A do ishte më e lehtë që të mos ishin? Nuk besoj që ka njeri që nuk do të binte dakord me këtë që po them. Nuk e mendoj që është produktive për mua që të ftoj Prishtinën, se do thonë meqë e bën ai ftesën nuk do të vijmë. Por nëse do të zgjidhnim statusin politik kjo i takon Brukselit, kurse për çështjet ekonomike jemi të hapur po ia bëj këtë ftesë edhe Malit të Zi. Në kuadër të Ballkanit të Hapur nuk kemi asnjë problem për bashkëpunim. Ata që nuk e pranojnë këtë nismë do të humbasin kohë, nuk ka nevojë t’i lutemi askujt ka vetëm përfitime nga kjo nismë. Këshilltarët e mi zyrtarë dje më thanë se kemi zgjedhje në 3 muaj që të mos vija se u dogj flamuri, por edhe Rama erdhi në Beograd kur ndodhi e njëjta gjë. Si është e mundur që të mos tolerojmë?”- tha Vuçiç.

Vuçiç tha se nisma e Ballkanit të hapur është një nismë paqeje që synon të ndërtojë ura bashkëpunimi mes vendeve të rajonit në funksion të zhvillimit ekonomik dhe perspektivës së të rinjve.

“Jemi këtu për të ndërtuar ura e bashkëpunim, dhe njerëzit do të jenë të kënaqur për këtë bashkëpunim, miliona fusha bashkëpunimi shtrihen mes nesh, por duhet treguar përgjegjshmëri e seriozitet. Është puna që ne të tre që të drejtojmë vendet tona së pari duke ruajtur paqen dhe për ta bërë këtë do arrijmë një paqe. Ky është një projekt paqeje dhe i zhvillimit ekonomik dhe së treti njerëzit po njihen me njëri-tjetrin. Sot kam njohur njerëz të shkëlqyer, por duhet t’u krijojmë këtë mundësi të rinjve që duhet të jetojnë krah për krah. Unë respektoj çdo familje shqiptare e të Maqedonisë së Veriut. E bëjmë të gjithë për vendet tona. Do vazhdojmë me këtë nisme se është e jashtëzakonshme, kemi harxhuar energji po do keni rezultate të prekshme dhe do i shihni rezultatet e dukshme. Unë besoj që numrat do të rriten për Ballkanin e hapur dhe të gjithë biem dakord që 3 është shumë më mirë sesa një.  Ballkani i hapur është një nismë tërheqëse se është në shërbim të 3 vendeve”.- tha presidenti serb.

Ora 14:03
A do të heqin dorë nga nisma nëse Kosova nuk pranon të bashkohet? Rama i prerë: Jo! Ballkani i Hapur s’është konspiracion, kush nuk përfshihet humbet kohë

Kryeministri Edi Rama tha se vendet që nuk bëhen pjesë vetëm do të humbasin kohë, pasi nuk ka kthim pas me këtë nismë.

‘Ne u bëjmë thirrje të tjerëve që të bashkohen, a do heqin dorë ato ne nuk e dimë. Janë mijëra e dhjetëra mijëra që përfitojnë drejtpërdrejt.  Do vijnë por vetëm se do të humbasin kohë, kush do të humbasë më shumë kohë. Vendet e tjera do të fitojnë. Thirrja ime, e jonë nuk është një thirrje që po nuk erdhët ju do të lëmë. Ne e kemi nisur për Shqipërinë, unë them se ato janë të mirëpritur. As nuk do ta ndalin Ballkanin e hapur e as nuk do e ndalojnë.’- tha Rama.

Ora 13:44
Rama: Në 6 muajt e ardhshëm në Samitin e Open Balkan do të ftojmë Greqinë, Italinë dhe Hungarinë

Kryeministri Edi Rama tha se në 6 muajt e ardhshëm do të ftojnë Greqinë, Italinë e Hungarinë për të nisur me to nismën e Ballkanit të Hapur.

‘Ne kemi vendosur sot të ftojmë në 6 muajt në vijim, sepse na duhet të përgatitemi mirë, ndërkohë që Samitin e ardhshëm na duhet të trajtojmë barrierat tarifore, në samitin vijues duam të kemi, Italinë, Greqinë dhe Hungarinë, sa për ta nisur, së bashku me ne në Samitin e Ballkanit të Hapur, Kemi kuptuar se nuk mjafton për tregtarët, importues, prodhues që të kenë tregti të lirë plotësisht si ata në BE, por ata kanë nevojë edhe të kenë më pak pengesa kur mbërrijnë në BE. Do të nisim të komunikojmë me vendet e BE dhe të përpiqemi ta bëjmë procesin bashkë, për tregun e përbashkët të rajonit me procesin e hyrjes në tregun e përbashkët europian. Kjo është mënyra sesi ndihmon Ballkani i Hapur. Kush na besoj, nëse nuk jemi ne gjendje të tregojmë me vepra se mund të jemi në nivelin e sjelljes së BE-së.’- tha Rama.

Ora 13:39
Gazetari maqedonas kërkesë të pazakontë Vuciç: Përgjigju në shqip! Presidenti serb: Nuk e flas dot, do më duhet ta mësoj

 

Një kërkesë të pazakontë i drejtoi gazetari i Maqedonisë së Veriut, Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në konferencën e përbashkët për shtyp me Ramën dhe Zoran Zaev.

Pasi gazetari i drejtoi një pyetje, Vuçiç e pyeti nëse donte t'i përgjigjej në anglisht apo serbisht, ndërsa gazetari befasoi kur me shaka i tha të përgjigjej në shqip.

Dialogu:

Vuçiç: Doni që tju përgjigjem në anglisht apo serbisht?

Gazetari i Maqedonisë së Veriut: Shqip, përgjigju në shqip

Vuçiç: Për fat të keq nuk e flas dot shqipen, do më duhet ta mësoj

Ora 13:37
Kur do të nisë zbatimi i 5 marrëveshjeve të nënshkruara sot? Përgjigjet Rama, Vuçiç e Zaev

Të pyetur se kur do të nisë zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara sot, kryeministri Edi Rama tha se gjërat do të vihen në lëvizje menjëherë pas nënshkrimit.

Rama: Do të jenë menjëherë pas nënshkrimit, pas nënshkrimit gjëra do të vihen në lëvizje. Tregtia mes tre vendeve do të ketë një mënyrë krejt ndryshe për t’i çuar produktet nga një vend në tjetrin.

Vuçiç: Nuk do te ketë më asnjë lloj problemi as me lejet e punës. Për të gjithë qytetarët do të nisë zbatimi i menjëhershëm. Këto janë gjëra të mëdha.

Zaev: Marrëveshja e Bujqësisë e nis zbatimin sot dhe për tregun e punës do të nisë në javët në vijim do ketë një zbatim të menjëhershëm.

Ora 13:30
Zaev: Standardet për qytetarët tanë nuk mund të presin, evropianizimin e realizojmë vetë

 

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në ditën e tij të parafundit në krye të Qeverisë pasi nesër jep dorëheqjen, tha se vendet e Ballkanit nuk mund të presin proceset e BE për të evropianizuar jetën për qytetarët e tyre.

"Ne kemi nxjerrë në pah faktin se 'Ballkani i Hapur' është një proces autentik për përfitim të të gjitha vendeve të rajonit.  Sot përballë qytetarëve tanë, ne paraqesim hapa konkretë. Ne e bëjmë tregun tonë më të madh duke u bërë më të gatshëm për konkurrim të mëtejshëm. Njerëzit tanë të ndjejnë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike. Nismat europianizojnë rajonin dhe sjellin një jetë më të mirë për qytetarët tanë. Standardet evropiane në vendet tona nuk mund të presin", tha Zaev.

Ora 13:23
Vuçiç: Do kemi fond të posaçëm për industrinë e filmit, futboll e turizëm! 'Open Balkan', nuk ka të bëjë me Serbinë e Madhe

Presidenti i Serbisë tha Aleksandër Vuçiç, duke folur për kundërshtarët e nismës së ‘Open Balkan’, tha se kjo nismë nuk ka të bëjë as me një Serbi të Madhe apo një Maqedoni të Madhe. Vuçiç tha se marrëveshjet e nënshkruara do të lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe të rrisin mirëqenien e tyre.

'Jam shumë i lumtur për marrëveshjet që kemi nënshkruar ky është përfundimi i një pune prej më shumë se dy vitesh. Ku erdha në Shqipëri e pashë se Ramës iu kundërvunë për iniciativën e Ballkanit të Hapur, apo për ato që thonë se dua një  Serbi të Madhe, apo për një Shqipëri të Madhe kjo nismë nuk ka të bëjë as me njërën dhe as me tjetrën e as me një Maqedoni në Madhe. Ne nuk duhet të shohim të shkuarën, por të shohim në të ardhmen. Ne duam që të shikojmë më shumë turistë nga Tirana dhe Shkupi, që të vijnë në Novisad, por edhe ju të keni më shumë turistë, në bregdetin e bukur që ka Shqipëria. Kjo punë ka të bëjë më shumë me të ardhurat dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Duam që t’ju mirëpresim në Serbi, prandaj janë shumë të rëndësishme marrëveshjet tona. Me anë të marrëveshjeve u kemi dhënë fund shumë procedurave burokratike. Kemi diskutuar Dpër ulje tarifash në autostrada për vendet e Open Balkan. Fond të posaçëm për industrinë e filmit, për ekipet tona të futbollit të basketbollit, turizmin, kemi ulje në restorante në hotele të ndryshme. Në maj apo në qershor do të kemi samitin në Beograd dhe do të kemi gjithashtu një panair verërash’- tha Vuçiç.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb