Ballkani Perëndimor ngec në integrimin e minoriteteve

Ballkani Perëndimor ngec në integrimin e minoriteteve

Një ndërtesë banimi e komunitetit rom në fshatin Plemetin, Kosovë.

Samiti i parë i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor grumbulloi përfaqësues të vendeve të rajonit në Prishtinë, ku u diskutua për problemet që po e pengojnë procesin e integrimit të minoriteteve etnike në shoqëri. Drejtori i organizatës Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, Isak Skënderi, tha se Kosova dhe shtetet e tjera ballkanike kanë ngecur në procesin e integrimit të komuniteteve minoritare, si të atij rom.

“Sot, në Kosovë, ashtu si edhe në shtetet e tjera ballkanike, romët janë të ngujuar në një qark vicioz të përjashtimit. Atyre u mungojnë mundësitë dhe mungojnë shërbimet”, u shpreh Skënderi, duke shtuar se qëllimi kryesor i tij është të punohet drejt një shoqërie “me të vërtetë shumetnike në Kosovë”.

Se gjendja e komuniteteve minoritare nuk është e mirë, e tha edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se përveç ndërgjegjësimit institucional duhet të punohet edhe për vetëdijesimin shoqëror.

“Gjendja e komuniteteve nuk është e mirë si nga aspekti i diskriminimit, ashtu edhe nga ai i varfërisë dhe mungesës së mundësive në aspektin socio-ekonomik”, u shpreh Kurti, teksa shtoi se arsimimi dhe punësimi janë problemet kryesore në procesin e integrimit.

Mbi 90 për qind e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë të papunësuar, sipas Zyrës për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Ndërsa, për nivelin e edukimit të tyre nuk ka të dhëna.

Probleme të ngjashme lidhur me diskriminimin racor hasin edhe minoritetet etnike në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Fatmir Gjekës, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve në Mal të Zi. Ai tha se “kjo çështje nuk është çështje e një vendi, porse problemet janë të përbashkëta”.

Gjeka bëri të ditur se me gjithë sfidat, me të cilat përballen ende këto komunitete në rajon, Mali i Zi ka ndërmarrë disa hapa, si: financimin e udhëtimit për në shkollë, ndarjen e bursave dhe mbështetjes financiare për nxënës nga komunitetet minoritare.

Në Kosovë, në tetor të këtij viti, Ministria e Arsimit ndau 100 bursa për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që studiojnë në Fakultetin e Edukimit, ndërsa 500 bursa të tjera janë ndarë për studentë në drejtime të ndryshme. Artan Grubi, ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve në Maqedoninë e Veriut, tha se edhe vendi i tij po angazhohet vazhdimisht të zhdukë paragjykimet dhe diskriminimin racor në shoqëri.

“Legjislatura duhet të përcillet me procesin e vështirë të çlirimit të çdo njeriu nga paragjykimet që ka për të tjerët”, u shpreh Grubi, duke shtuar se ka raste kur prindërit vendosin t’i dërgojnë fëmijët në shkolla më të largëta vetëm për të mos i lënë fëmijët e tyre në shkollë me shumë nxënës të komuniteteve minoritare.

I pranishëm në këtë Samit, ku fokusi ishte te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ishte edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai foli për sfidat që vetë SHBA-ja ka kaluar në luftën kundër diskriminimit racor, teksa tha se mësimi kryesor për të gjithë është që “të mos jemi tolerantë ndaj jotolerancës”.

“Nuk duam që të kemi Betimin e Hipokratit, që të mos bëjmë keq. Duam të kemi standard më të lartë. Duhet të kemi një angazhim të qëndrueshëm”, u shpreh Hovenier.

Ndërkohë, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se edhe Evropa është përballur me sfida të tilla për shekuj me radhë, por tani ka politikën e “zero tolerancës ndaj çfarëdo forme të diskriminimit”.

“Dua ta përfundoj fjalimin duke e njohur të gjithë punën që është ndërmarrë, por edhe si përkujtues i të gjitha sfidave që duhet ende t’i tejkalojmë për t’ua përmirësuar jetën atyre që janë më të cenueshëm”, u shpreh Szunyog.

Ambasadori i BE-së u shpreh i kënaqur me vendimin e javës së kaluar të Komunës së Prizrenit për ta njohur gjuhën rome si gjuhë zyrtare në këtë komunë. Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptianë. Në radhët e komuniteteve të tjera në Kosovë bëjnë pjesë: serbët, turqit, boshnjakët dhe goranët./ REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë