‘Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë’ Ngjarjet kryesore të vitit 2022 në Kosovë

‘Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë’ Ngjarjet kryesore të vitit 2022 në Kosovë

Albin Kurti dhe Rama

“Ballkani prodhon më shumë histori se që mund të konsumojë,” – thuhet se thoshte ish kryeministri britanik Ëinston Churchill. Në vitin 2022 kjo fjali u përkthye në “Ballkani Perëndimor prodhon më shumë histori se që mund të konsumojë.” I gjithë viti ishte i mbushur me ngjarje dramatike që kapërcenin njëra-tjetrën për t’u mbivendosur në kryetituj lajmesh. Cilat ishin më kryesoret?

Agresioni rus në Ukrainë që ndodhi më 24 shkurt – e që parashihej të ndodhte gjithë shkurtin – bëri që të ndërronte trajektorja dhe dinamika e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Në vend se të përçante siç kishte menduar, fatmirësisht Rusia me luftën e saj vetëm sa bashkoi fuqitë perëndimore që edhe më me zell deshën të mbyllnin konfliktet tjera në kontinentin e vjetër.

Dialogu Kosovë-Serbi, kësisoji, u bë prioritet i rëndësishëm.

Darka në maj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta niste vitin me një premtim të madh që i rrinte mbi krye: do të shkonte në Amerikë. Ai kishte thënë që do të shkonte në fillim të vitit, por ndoshta s’e ka menduar kalendarin gregorian kur e ka bërë premtimin. Ai do të udhëtonte drejt ShBA-ve vetëm në muajin maj.

Takimi në Gjermani / Darka e paparalajmëruar Vuçiq-Kurti: Sipas BE-së, Lajçaku mbrëmë do të hante në dy tavolina

E rruga për në ShBA do t’i binte kah Berlini. Në Berlin, Kurti ishte nisur ta takonte ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçakun dhe kancelarin gjerman Olaf Scholzin, por ja që e takoi edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Ajo darkë duket se shkoi mirë. Nuk do të kishte retorikë luftënxitëse. E në anën tjetër do të kishte fotografi të darkës e të takimit mes Kurtit e Vuçiqit.

Amerika

Menjëherë pas darkës, Kurti siç e thamë do të udhëtonte për në Amerikë. Edhe pse do të rrinte gjatë, plot 18 ditë, kryeministri do të dështonte që të takonte ndonjë zyrtar të lartë të administratës Biden.

Nuk pati takim me presidentin dhe mikun e madh të Kosovës. As me zëvendësen e tij. E as me Sekretarin Blinken. Takimi më i rëndësishëm ishte ai me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, z. Jack Sullivan.

Rama-Kurti

Raportet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit nuk ishin asnjëherë më të tematizuara se këtë vit. Kryeministri i Shqipërisë nuk rreshti së ngacmuari kryeministrin e Kosovës madje as në nivel personal.

Harrojeni mbylljen e syve që çoi në një moment të sikletshëm për Kurtin që ishte skuqur si asnjëherë tjetër. Më përthekuese e këtyre raporteve ishin dy ditë të Edi Ramës të kaluara në Kosovë gjatë muajit qershor.

Për një ditë, Edi Rama kishte vizituar biznese të afaristëve të famshëm Devolli, pastaj kishte vizituar familjen e ish presidentit Hashim Thaçi, dhe në mbrëmje kishte bërë një ndejë me kritikët më të mëdhenj në media të kryeministrit Kurti në Gërmi.

Shqipëri / Ndeja anti-Kurti e Edi Ramës në Gërmi, morën pjesë shumë kritikë të kryeministrit

Të nesërmen do të mbahej mbledhja e përbashkët e qeverisë së Ramës dhe asaj të Kurtit. Edhe motoja ishte “Të përbashkuar”. Por, Rama s’do t’i ndalte as aty ngucjet dhe talljet e tij me kryeministrin e Kosovës, i cili fatkeqësisht do të qëndronte krejtësisht pasiv.

“Edhe po qe për vëzhgues ky vëzhgon nga Prishtina edhe Kinën e jo më Ohrin, dakord!” – ishte një nga shumë talljet e tij atë ditë.

Kriza energjetike

Kriza energjetike e shpalosi veten qysh në muajin gusht me anë të reduktimeve të rrymës në gjithë Kosovën.

Qeveria Kurti paralajmëroi popullin se mund të kishim një dimër të vështirë. Deri tash, megjithatë, çështja duket të jetë nën kontroll megjithëse problemet me blloqet e KEK-ut vazhdojnë të jenë shqetësuese.

Nuk dihet se si do të vazhdojë dimri dhe situata me energjinë, por megjithatë duhet përmendur se Qeveria nuk i ka rreshtur thirrjet për kursim të energjisë elektrike dhe fatmirësisht pas kritikave ka marrë një varg masash që të subvenciononte ekonomitë familjare dhe bizneset.

Draft-Strategjia / “Mani se kështu nuk bon”: Tallje e humor me Strategjinë e Kurtit për Energjinë për vitet 2022-2031

Në fund të këtij muaji, në Kuvend erdhi edhe Draft-Strategjia për energjinë 2022-2031 por e cila ishte jashtëzakonisht joserioze në përmbajtje.

Tensionet në veri

Situata në veri të Kosovës dukej se po shkonte në drejtimin e duhur. Lista Serbe nuk e protestoi as afërsisht sa mendohej ndalimin e referendumit serb, e as ndalimin e zgjedhjeve serbe.

Zërat kritikë ndaj listës që kryesohej nga Goran Rakiq dhe regjimit që udhëhiqej nga Aleksandër Vuçiq po shtoheshin mes vetë qytetarëve serbë.

Por, fatkeqësisht shumë gjëra tjera do të ndodhnin në pjesën e dytë të vitit që në një mënyrë do të shuanin sërish zërat kritikë: tensionet. Më 31 korrik ishin tensionet e para të mëdha. Ato do të përsëriteshin sa herë që avitej koha kur Qeveria do të niste sanksione të mundshme. Qoftë për targa, letërnjoftime, e më pas edhe kur deshi t’i mbante zgjedhjet e parakohshme të 18 dhjetorit.

Por, meqë jemi lodhur me tensionet të merremi me retorikën. Për herë të parë, fjala “luftë” – aq e frikshme dhe aq e rëndë për Kosovën – do të përdorej madje edhe nga goja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Unë nuk them që ata (Serbia) do të sulmojnë këtë muaj apo muajin tjetër, nuk mendoj se ka gjasa të ndodhë. Ajo që më brengos mua është se nëse pas Ukrainës kemi edhe një konflikt, edhe një “spill over” diku tjetër, atëherë Ballkani do të jetë episodi numër tre.” – kishte thënë kryeministri gjatë pushimeve verore në Greqi.

Greva e shtatorit

Një tjetër ngjarje shumë shumë e rëndësishme ishte edhe Greva e Përgjithshme e punëtorëve të sektorit publik që nisi më 25 gusht të këtij viti.

Në shënjestër – edhe pse nuk ishte – do të vendosej kryesindikalisti i punëtorëve të arsimit, Rrahman Jasharaj. Jashtë shënjestrës do të mbeste njeriu kryesor i asaj Greve, kryetari i BSPK-së dhe ‘sindikalisti i preferuar’ i Kurtit, Atdhe Hykolli.

Jasharaj do të sulmohej aq rëndë – madje do të bullizohej edhe për të folurën e tij nga kryeministri Kurti – sa nuk do t’i mbante lotët në një prononcim për Nacionalen. Atij i ishte thënë, nga aktivisti i VV-së Elvis Hoxha “anëtar i një partie serbe”.

Greva do të zgjaste deri në fillim të muajit tetor, por dëmi i madh veçse ishte bërë. Qeveria kishte përdorur diskurs përmes të pavërtetash që do t’i ekspozoheshin një nga një

Vlen të përmendet se gazeta Nacionale vendosi t’i jepte titullin Person i Vitit 2022 pikërisht sindikalistit Rrahman Jasharaj për luftën e tij të pakompromis për të drejtat e punëtorëve të sektorit të arsimit.

Plani franko-gjerman

Planit franko-gjerman i ishte mohuar madje edhe ekzistenca për një kohë të gjatë. Kurti do të fliste për të vetëm më 7 nëntor, ose dy muaj pasi do ta pranonte draftin në fjalë.

Kurti do të kishte edhe fjalë pozitive për këtë propozim, por do të gjente edhe mangësi e vërejtje të cilat do t’i adresonte përmes një komenti me shkrim.

Plani franko-gjerman / Më në fund shpaloset plani franko-gjerman: Nuk ka njohje, por është shumë afër njohjes

“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur meqenëse konceptet që aty përdoren janë vlera. Për dallim nga herët e kaluara, konceptet janë të duhura. Domethënë, tash nuk jemi te ajo. Tash jemi te vlerat. Dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur." – kishte thënë kryeministri i Kosovës derisa akuzonte presidentin serb se po përdorte tensionet në veri të Kosovës për të maskuar refuzimin e tij për këtë propozim.

Në këtë plan, Serbia zotohej të mos e pengonte Kosovën që të anëtarësohej në organizata ndërkombëtare ndërsa të dyja shtetet zotoheshin të respektonin marrëveshjet e Brukselit. Pra, edhe Asociacionin.

Kurti ka marrë edhe versionin e fundit të këtij propozimi, dhe besohet që fundi i vitit që vjen është afati përfundimtar për ta pranuar apo refuzuar atë./Nacionale

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?