Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Mundësia, Barbara Doda, e ftuar në emisionin 'Studio Live' në Report Tv, komentoi zhvillimet e sotme në Këshillin e Mandateve në Kuvend, të cilit SPAK i kërkon autorizim për arrestin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku.
Jashtë kryesisë, mbështetës së partisë Mundësia të Agron Shehaj, protestuan duke kërkuar dorëheqjen e saj.
“Ne besojmë tek drejtësia, dhe besojmë që të gjithë të korruptuarit duhet të përballen me drejtësinë” tha Doda, duke argumentuar se “imuniteti nuk duhet të jetë justifikim për të mbrojtur krimin”, tha ajo.
Sipas saj, mbledhja në Këshillin e Mandateve po bëhej “jo për t’i hequr imunitetin Ballukut por për ta mbrojtur atë”.Doda tha se deputetëve të partisë Mundësia “u takonte të ishin në mbledhje dhe të informoheshin për provat”.
“Kjo është pengesë jo vetëm për drejtësinë por edhe për transparencën. Të gjithë meritojmë të dimë se çfarë po ndodh. Nuk mendoj që ne do të prishnim sekretin hetimor. Nëse ka dikush interes të prishë provat është Balluku dhe kryeministri i vendit. Ata kanë interes por kurrësesi deputetët e partisë Mundësia”, tha ajo.
Në analizën e Dodës, “asnjë shtyrje nuk i leverdis drejtësisë dhe qytetarëve të vendit”.
“Tashmë ka prova që Balluku është jo vetëm e korruptuar, por këtu bëhet fjalë për krim të organizuar, ndaj këta njerëz duhet të përballen me drejtësinë sa më shpejtë. Çdo ditë është pengesë për drejtësinë,” argumentoi ajo.
E pyetur mbi hapat e rradhës, në kuadrin e protestës së të premtes, Doda tha se axhenda e partisë Mundësia përfshin ‘mbrojtjen e drejtësisë’.
“Ne kemi zgjedhur të besojmë drejtësinë dhe ta mbrojmë atë, ndryshe nga Partia Socialiste që ka zgjedhur ta sulmojë. Ne zgjidhjen tonë e kemi bërë dhe do të mbështesim këtë kauzë” tha ajo.
Sa i përket pritshmërive të partisë Mundësia mbi çështjen Balluku dhe nëse do të ketë pasoja më të mëdha, sidomos sa i përket kryeministrit Rama, Doda mendon se “është vetëm çështje kohe” deri sa drejtësia të shkojë tek Rama.
“Unë jam e bindur që drejtësia do të shkojë tek Rama, sepse ky është i vetmi institucion që Rama nuk ka kapur. Nuk mbrohet dot as nga Gjykata Kushtetuese, as nga 83 mandatet e as nga imuniteti. Është vetëm çështje kohe ”, tha ajo.
Komente









