Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës së saj në Kuvend, tha se ndryshimet e kërkuara në ligjin për sektorin e energjisë elektrike do të sjellin dhe tërheqin më shumë investime përmes krijimit të një kornize të qëndrueshme rregullator. Reforma në energjetikë është edhe një domosdoshmëri për hapjen e negociatave me BE.
Ministrja Balluku tha se ndërhyrja në ligjin aktual është konsideruar e nevojshme për të siguruar ndryshimin apo shfuqizimin e një numri dispozitash, të cilat pengojnë arritjen e autonomisë së plotë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, si dhe ndarjen ligjore e funksionale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, një proces i nisur më 1 janar 2020.
"Sot më shumë se kurrë, me vendimin e BE për çeljen e negociatave me Shqipërinë, reforma në sektorin e energjisë është një domosdoshmëri. Çka synohet të arrihet nëpërmjet kësaj reforme energjetike është krijimi i një kornizë të qëndrueshme rregullatore dhe tregu të aftë për të tërhequr investime në prodhimin e energjisë dhe rrjetet elektrike, qofshin këto investime të huaja apo vendase; Krijimi i një tregu të integruar të energjisë që lejon tregtinë ndërkufitare dhe integrimin me tregun e Bashkimit Europian; Garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të energjisë, thelbësor ky për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin shoqëror; Nxitja e përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe sigurisht eficenca e kësaj energjie; Zhvillimi i konkurrencës, çka është dhe më e rëndësishmja dhe ne po mundohemi ta nxisim sa më shumë, si ajo rajonale ashtu dhe ajo vendase përmes krijimit të një tregu të lirë të energjisë elektrike. Dhe ashtu siç ju e dini, ne vitin e kaluar kemi arritur që t’i japim jetë Bursës Energjetike Shqiptare për herë të parë. Ndryshimet që propozojmë sot në “Ligjin për sektorin e energjisë elektrike” synojnë të përafrojnë legjislacionin tonë me acquis communitaire, duke përmbushur kështu disa nga parakushtet dhe rekomandimet e Komisionit Europian në kuadër të procesit të integrimit. Ndërhyrja në ligjin aktual është konsideruar e nevojshme për të siguruar ndryshimin apo shfuqizimin e një numri dispozitash, të cilat pengojnë arritjen e autonomisë së plotë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, si dhe ndarjen (unbundling) ligjore e funksionale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Një proces që tashmë ka nisur nga fillimi i vitit, 1 janar 2020 dhe janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore. Për të siguruar pavarësinë e OST-së, deri më sot janë ndërmarrë një sërë hapash të cilat kanë mundësuar certifikimin e OST nga ERE. Megjithatë, certifikimi është dhënë me kusht që brenda një afati kohor të caktuar të dëshmohet autonomia e shoqërisë, e cila realizohet nëpërmjet delegimit të kompetencave të caktuara nga Ministri përgjegjës për energjinë tek aksionari i shoqërisë. Ndërkohë, për realizimin e ndarjes ligjore dhe funskionale të OSHEE propozohen ndryshimet në Nenin 72, të këtij ligji, me anë të cilave synohet të garantohet pavarësia teknike, fizike, dhe financiare e tre kompanive bija të krijuara gjatë procesit të unbundling", tha Balluku.
Lajmi kryesor: