
Gjykata Kushtetuese nuk arriti dot sot shumicën për rastin ‘Balluku’ dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Energjitikës dhe Infrastrukturës.
Pas vendimit të Kushtetueses kanë ardhur edhe reagimet e para politike. Kreu i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se vendimi i sotëm i Kushtetueses tregoi se Qeveria shqiptare u përpoq të pengonte drejtësinë me veprimet e tyre, me qëllim mbrojtjen e Ballukut.
“U provua nga Gjykata Kushtetuese se Këshilli i Ministrave dhe Edi Rama penguan drejtësinë me veprimet e tyre. Drejtësia tashmë duhet të shkojë te Edi Rama! Qeveria nuk ka më legjitimitet moral pasi u kthye në zyrë avokatie për Zv. Kryeministren!”, ka shkruar Lapaj.
Ndërkohë kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është shprehur se nga sot Balluku nuk do të mund të shkojë dot më në zyrë dhe të vjedhë qytetarët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehaj ka thënë se fundi i pandëshkueshmërisë do të vijë vetëm kur kryeministri Edi Rama të dalë para drejtësisë.
“Më në fund Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin përfundimtar të Belinda Ballukut. Nga sot Belinda Balluku nuk shkon dot më në zyrë, nuk firmos dot më, nuk vjedh dot më qytetarët shqiptarë.
Mund të themi që ky është fundi i pandëshkueshmërisë në Shqipëri? Jo. Tani e ka radhën Edi Rama.
Sepse çdo njeri në Shqipëri e di që në krye të korrupsionit është Edi Rama dhe vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të Kryeministrit Edi Rama mund të themi që ka ardhur fundi i pandëshkueshmërisë edhe në Shqipëri”, ka shkruar Shehaj.
Lajmi kryesor:
Gjykata Kushtetuese nuk arrin shumicën për rastin Balluku, rrëzohet 4-4 kërkesa e Ramës: Zëvendëskryeministrja pezullohet nga detyra (VENDIMI)










