Një pjesë e Kosovës shkon nesër në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore. Mbi 1 milion e 300 mijë qytetarë me të drejtë vote do të mund të zgjedhin nesër kryetarët e ardhshëm të 18 komunave, në të cilat s’u zgjodh kryetari me të parën.

Bëhet fjalë për komunat: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë e Kllokot.

Zëdhënësi i Komisionit qendror të Zgjedhjeve, tha për mediat se gjithçka është gati, ndërsa ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore.

Në raundin e parë të zgjedhjeve të zhvilluar më 12 tetor, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi 3 komuna (Skënderaj, Ferizaj dhe Hani i Elezit) dhe kryeson në 4 komuna që shkojnë në balotazh: Prizren, Kaçanik, Vushtrri dhe Mitrovicë e Jugut.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi 2 komuna (Istog dhe Lipjan) por kryeson në 6 nga 9 komuna të tjera që shkon në balotazh: Prishtinë, Pejë, Junik, Dragash, Viti dhe Obiliq.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit, partia në pushtet, pësoi një humbje të thellë në këto zgjedhje, duke fituar vetëm 3 komuna në raundin e parë: Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.

Ndryshe nga viti 2021, këtë herë LVV nuk arriti të fitojë asnjë komunë të madhe direkt dhe shkon në balotazh në 12 komuna, por në të gjitha, përveç Gjilanit dhe Fushë Kosovës, renditet forca e dytë. Edhe në Prishtinë, LVV nuk renditet forcë e parë pasi Hajrullah Çeku ka 33,05% të votave kundrejt kryebashkiakut aktual Përparim Rama i LDK, i cili ka marrë 33,76%.

Aleanca për Adhmërinë e Kosovës ( AAK) e Ramush Haradinajt, fitoi vetëm në Deçan, por shkon si kryesuese në 4 nga 5 komuna që është në balotazh (Gjakovë, Rahovec, Klinë, Suharekë e Junik).

Lista Serbe (LS) fitoi 9 komuna me shumicë serbe në raundin e parë: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok, Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh. Po ashtu, kryeson në balotazh në Kllokot, e vetmja komunë me shumicë serbe që nuk u fitua direkt.