TIRANE - Kryetari i FRD, Bamir Topi, në një intervistë në Top Story ka lëshuar akuzën se ai dhe partia e tij po survejohen nga struktura inteligjente të pushtetit. Ai tha se ka të dhëna të sigurta për këtë gjë e se nuk e ka fobi çështjen e përgjimit.

Madje ai shtoi se është Berisha që ka fobi nga FRD. Topi tha se survejohen aktivitetet e FRD dhe më pas pushohen nga puna njerëzit që janë pranë FRD. “Në takimin e zhvilluar në qytetin e Durrësit, fotografët e linjës inteligjente të partisë dhe qeverisë kanë fotografuar njerëz që janë marrë më pas në analizë në struktura dhe u ka shkuar mandati për t’i larguar nga puna”, tha Topi.

Madje ish-presidenti ka akuzuar opozitën, që nisi një betejë për çështjen e përgjimit nga ana e pushtetit, por e la në mes të rrugës. Topi tha se shanset e bashkëpunimit të tij me Berishën janë zero. Por ai tha se pas largimit nga PD të Berishës, gjërat mund të ndryshojnë për këtë.

“Kam parë tek ai një metamorfozë vetëm e vetëm në shërbim të pushtetit të tij, një sjellje arrogante, madje unike në të gjithë komunikimin politik sa kemi mundësi ne të njohim. Ai është personazhi kryesor i tradhtimit të interesave mbi të cilat u ngrit PD,” tha Topi.

Kreu i FRD nuk ka komentuar rikthimin e Eduard Selamit në PD. Kreu i FRD tha se nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me partitë qendrës, por s’do bashkëpunojë me PS-në, të cilën e akuzon për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)