Në fillim të shtatorit 2025, në komunën Hochdorf ndodhi një seri grabitjesh në objekte tregtare dhe biznesi. Policia e Luzernës arriti të arrestojë të dyshuarit për këto vepra penale. Në automjetin e tyre, forcat e ndërhyrjes sekuestruan sende që dyshohet se janë të vjedhura, si edhe mjete për thyerje, raporton Blick.

Më pas, Prokuroria për Krime të Veçanta, në bashkëpunim me Policinë e Luzernës, zhvilloi hetime të gjera. Nga këto hetime rezultoi se burrat e arrestuar janë pjesë e një grupi kriminal që vepron në nivel kombëtar. Të dyshuarit janë nga Kosova dhe janë të moshës nga 26 deri në 57 vjeç.

Gjashtë personat gjithsej të dyshuar akuzohen se, në përbërje të ndryshme, kanë kryer gjithsej 161 grabitje në të paktën 11 kantone të Zvicrës. Objektivi kryesor i vjedhjeve kanë qenë kryesisht bizneset dhe ndërmarrjet tregtare, ku synimi kryesor ishte vjedhja e parave. Shuma e përfituar nga veprat penale vlerësohet rreth 590 mijë franga, ndërsa dëmi i përgjithshëm material rreth 705 mijë franga.

Hetimet ndaj autorëve të dyshuar janë ende në vazhdim pranë Prokurorisë për Krime të Veçanta. Për të gjithë të pandehurit vlen parimi i prezumimit të pafajësisë deri në përfundimin përfundimtar dhe të formës së prerë të procedurave gjyqësore.