*Këtë javë, prezantuesja dhe modelja holandeze, Sylvie Meis, e cila jeton në Gjermani, u përball me shqiptarin, personin që e kishte tmerruar, duke hyrë me forcë në banesën e saj dhe duke u larguar me një koleksion çantash me vlerë rreth gjysmë milioni euro. Që nga vjedhja e bujshme në penthouse-in e saj në Hamburg, prezantuesja nuk ndihet më plotësisht e sigurt në shtëpinë ku dikur jetonte bashkë me futbollistin e famshëm, Rafael van der Vaart.
Në verën e vitit 2023, kur Sylvie Meis ndodhej me pushime në Ibiza, hajdutët arritën të ngjiteshin në katin e pestë - katin e fundit - të kompleksit luksoz të apartamenteve, përmes një strukture ndihmëse në pjesën e pasme të godinës, dhe thyen një dritare.
Ata përfunduan në një dhomë që është një parajsë e vërtetë për çdo grua: dhoma ku Sylvie ruante koleksionin e saj ekskluziv të çantave luksoze, nga marka të njohura si ato të P.C. Hooftstraat. Bulgari, Louis Vuitton, Gucci, Yves Saint Laurent dhe Celine ishin markat e famshme të 22 çantave që u vodhën, me një vlerë totale prej 530.000 eurosh. Prezantuesja ende ndihet me fat që atë mbrëmje nuk ishte në shtëpi dhe nuk u përball ballë për ballë me autorët. Megjithatë, një prej tyre e pa këtë javë, në sallën e gjyqit.
Pas hetimeve të kryera Policia e Hamburgut arriti te një grup autorësh nga Shqipëria. Një prej personave të dyshuar u arrestua në qytetin port dhe u nxor para gjykatës. Sylvie ishte e pranishme në seancë.
Gjatë fjalës së saj prezantuesja tregoi ndikimin që kishte pasur vjedhja tek ajo. Edhe pse siguracioni e kishte dëmshpërblyer – pasi u bë e qartë se çantat nuk do të gjendeshin më – frika dhe ankthi nuk u zhdukën kurrë.
“U trondita plotësisht kur pashë çfarë kishte ndodhur dhe kuptova se të persona të huaj kishin qenë brenda shtëpisë sime”.
Sulme paniku dhe rrahje të forta zemre
Prezantuesja ka marrë tashmë masa të shumta për të parandaluar një rast të ngjashëm, por frika vazhdon. “Edhe për zhurmën më të vogël të pazakontë, më mbulon djersa. Kam shpesh sulme paniku dhe rrahje të forta zemre. Sidomos kur jam vetëm në mbrëmje”.
Megjithatë, Sylvie guxoi të përballej në gjykatë me 42-vjeçarin Ermal M. Gjasat që ajo ta takojë sërish janë thuajse zero: ai u dënua me katër vjet burg.
I vetmi autor që ra në duart e drejtësisë u përpoq ta minimizonte rolin e tij, duke deklaruar se kishte shërbyer vetëm si vrojtues dhe se kishte marrë 15.000 euro për pjesëmarrjen e tij.
“Kërkoj sinqerisht falje”
Pas rrëfimit të Sylvie, Ermal M. kërkoi falje: “Kërkoj sinqerisht falje. Nuk ishte qëllimi im t’ju shkaktoja dhimbje.”
Sylvie – e cila theksoi gjithashtu se djali i saj, Damián van der Vaart (19 vjeç), po vuan nga kjo situatë dhe e pyeste vazhdimisht nëse ishin ende të sigurt në apartament – reagoi duke thënë se i vjen “jashtëzakonisht keq që kaq shumë jetë njerëzish janë ndikuar negativisht nga kjo ngjarje”. M. ka një javë kohë për të apeluar dënimin./ DE TELEGRAAF
Komente








