Kriminelët shqiptarë po veprojnë në Britani, duke përdorur një taktikë të aplikuar më parë, rrëmbimin e të afërmeve të grupeve rivale. Zyrtarët e lartë të policisë britanike kanë zbuluar se anëtarët e bandave shqiptare shënjestrojnë të moshuarit e familjeve të tjera të krimit, duke i mbajtur peng dhe iu kërkuar para, drogë apo territor në këmbim të lirimit të tyre.

“Zotërinjtë e krimit nga shteti i vogël ballkanik janë kaq të dhunshëm dhe të pashpirt, sa kanë uzurpuar bandat tradicionale të drogës në pjesën më të madhe të Anglisë, duke dërguar shuma të mëdha parash në vendin e tyre, teksa i fshehin në makina”, raporton ‘daily mail’.

Duke iu referuar shifrave të fundit, kjo media shkruan se në Britani jetojnë 32 mijë shqiptarë, ku 572 prej tyre janë në burg.

“Ju nuk mund të imagjinoni sa të pamëshirshëm janë ata. Disa prej bandave tradicionale janë shkrirë, përballë brutalitetit absolut të shqiptarëve. Këto janë padyshim bandat më të pamëshirshme që Britania e Madhe ka parë ndonjëherë. Ata rrëmbyen të afërmit e moshuar të bandave rivale për t'i përdorur ata për të zhvatur paratë, drogën dhe territorin. Kjo krijon një dhimbje koke të madhe për policinë britanike”, deklaroi Kathryn Holloëay, komisioneve e krimit në policinë e Bedfordshire.

Zonja Holloway gjithashtu tregoi se si policia kishte zbuluar se gangsterët shqiptarë po lëviznin "sasi të mëdha të parave" nga Mbretëria e Bashkuar në makinat e përshtatura posaçërisht.

Më parë këtë vit, Vladimir Cahani dhe gruaja e tij, Ardita, u kapën duke u përpjekur të kontrabandonin 130,000 € të fshehura në mënyrë të posaçme në makinën e tyre. Kanë qenë qentë e forcave të kufirit të trajnuara posaçërisht për të zbuluar drogë dhe para, që kanë nxjerrë në shesh shumën marramendëse të parave.

Agjencia Kombëtare e Krimit paralajmëroi pak kohë më parë se “Grupet shqiptare të krimit kanë krijuar një ndikim tepër të lartë brenda krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar”. Shqiptarët janë furnizuesit më të mëdhenj të vendit me kokainë, si dhe të përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore dhe prostitucionin.

NCA ka kryer 400 operacione kundër veprimtarive të tyre kriminale gjatë vitit të kaluar, duke synuar lavazhet e makinave, bare e bordello, ku bandat shqiptare detyrojnë bashkëatdhetarët të punojnë. 

d.c./shqiptarja.com