Pas miratimit të blerjes së bankës Credit Agricole nga Banka Amerikane e Investimeve në Tetor 2015, sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Z. Gent Sejko i dorëzoi zyrtarisht licencën gjatë një ceremonie të organizuar në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Këtë ceremoni e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama; Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Z. Donald Lu; përfaqësues të kabinetit qeveritar, Bankës së Shqipërisë, organizatave ndërkombëtare në vend si edhe klientë të Bankës Amerikane të Investimeve. Prezentë ishin gjithashtu përfaqësues të lartë të investitorëve amerikanë të NCH Capital Inc. Z. Gregory Katz, Kryetari i Bordit Drejtues Z. Lorenzo Roncari dhe anëtarë te tjerë të Bordit të Bankës Z. Rezzo Schlauch dhe Z. Mark Craëford.

Banka Amerikane e Investimeve është pjesë e grupit të menaxhuar nga NCH Capital, një investitor amerikan me qendër në Neë York dhe investime globale mbi 3.4 miliardë dollarë në Rusi, Europën Lindore, dhe Brazil.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama tha: “Ky investim do të jetë një nxitës i fortë i kreditimit dhe e kthen bankën e sapo licensuar në një shembull tërheqës për investitorët, që do të nxisë pastaj të tjerët të ndjekin të njëjtën rrugë. Edhe dy fjalë për investimet amerikane në Shqipëri, që janë rritur, që janë konsoliduar, aktualisht numërohen 157 sipërmarrje amerikane apo me kapital të përbashkët shqiptaro-amerikan, e përqëndruar kryesisht në Tiranë, por edhe në Durrës, e Vlorë.

Ne jemi absolutisht të vendosur ta çojmë përpara me gjithçka mundemi materializimin e dashurisë, partneritetit shqiptaro-amerikan në ekonomi, në sipërmarrje, në praninë më të madhe të investimeve me kapital amerikan apo të përbashkët shqiptaro-amerikan. Ky investim është një ngjarje shumë e mirë për ne dhe sektorin bankar në Shqipëri”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z.Gent Sejko theksoi se: ““Ne si Bankë e Shqipërisë kemi vlerësuar dhe gjykuar për biznes planin e Bankës Amerikane të Investimeve, biznes plan, i cili do të kontribuojë në ekonominë shqiptare dhe do të rrisë më tepër stekën dhe kontributin, si në aspektin e financimit, e kreditimit, ashtu edhe në aspektin e shërbimeve bankare dhe financiare. Unë jam shumë i kënaqur që jam sot këtu për të anonçuar hyrjen në treg të kësaj banke dhe kam gjithashtu kënaqësinë që konkretisht të dorëzoj licensën e Bankës Amerikane të Investimeve, bankës më të re në sistemin tonë bankar”.

Z. Lu, theksoi se NCH Capital sjell si aftësi të forta teknike në shërbimet bankare, ashtu edhe etikën e biznesit të një kompanie të respektuar amerikane. Nuk mund të ishim më krenarë se kaq që një kompani amerikane të operojë sërish në sistemin bankar shqiptar.

Ndërkohe Z. Gregory Katz shtoi: “NCH Capital ka pothuajse dhjetë vjet që ushtron aktivitetin në Shqipëri dhe ka zgjeruar gamën e investimeve nga pasuritë e paluajtshme, në zhvillimin e institucioneve financiare si Tranzit Financë dhe tashmë Banka Amerikane e Investimeve. Për shume vite Shqipëria ka qenë qendra rajonale e NCH Capital nga ku mbulohet veprimtaria në te gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi investitorë të duruar me synime afatgjata dhe kemi besimin se ABI Bank do të jetë një histori suksesi për klientët, punonjësit e saj të dedikuar dhe aksionerët”.

Në përfundim Drejtori Ekzekutiv i Bankës Amerikane të Investimeve, Z. Ballta nënvizoi: “Banka Amerikane e Investimeve synon të kthehet në një faktor të rëndësishëm në tregun bankar shqiptar, me produkte e shërbime konkurruese dhe inovative për klientët”.